MPB dhe DAP-i mbyllën dhe plumbuan shtatë bastore sportive në Shkup dhe Tetovë, ndërkaq do të parashtrohen edhe padi penale ndaj disa personave. Siç kumtoi MPB, pas njohurive të marra paraprakisht, Minsitria në bashkëpunim me Drejtorinë për të Ardhura Publike, realizoi kontroll aksioni në tetë bastore sportive, dy në Shkup dhe gjashtë në Tetovë. Nga kontrollet e kryera në tetë objektet, vetëm njëri prej tyre ka poseduar licencë për punë në fshatin Bogovinë-rajoni i Tetovës. Në shtatë të tjerat, nga policia është konstatuar se ato kanë punuar në mënyrë të parregullt, për ç’arsye nga ana e DAP-it janë dhënë Vendime për ndalesë për organizim të lojërave të fatit në hapësirë afariste në afat prej 30 ditëve, sipas nenin 151 paragrafi 6 nga Ligji për lojërat e fatit dhe për lojërat argëtuese.
Nga objektet, policia ka marrë 70.500 denarë, 305 euro, 100 franka zvicerane, etiekta për pagesë, si dhe pajisje prej 39 televizorëve, 21 kasa e kompjuteri, 19 monitorë kompjuteri, 11 printerë për etiketa, tre resiverë televizioni, tre printerë dhe lexues të barkodeve, dy aparate për gara të qenve dhe të tjera. Në kuadër të këtyre aktiviteteve janë kryer edhe dy bastisje në një shtëpi dhe një banesë. Janë zbuluar dhe konfiskuar pajisje kompjuterike, printerë për etiketa, formularë të zbrazët të ndeshjeve sportive, evidencë me shkrim të personave të cilët kanë paguar ndeshje sportive, bartës të të dhënave elektronike.