Objekte spitalesh të lëna në harresë, pothuajse ‘antike’, kushte jo të mira akomodimi, mungesë e ngrohjes në dimër, kurse e ajrit të kondicionuar gjatë ditëve të verës, banjo që nuk dëshiron t’i shohësh për të dytën herë, kanalizim i stërngarkuar, është pasqyra që një qytetar që dëshiron të kurohet në Qendrën Klinike në Shkup i sheh që në hapin e parë bërë brenda portës së kësaj qendre spitalore. Qytetarët e anketuar thonë se këto janë vetëm një pjesë e vargut të gjatë të problemeve me të cilat sistematikisht ballafaqohen ata, e të cilat janë edhe pasqyrë e shëndetësisë së Maqedonisë.
“Unë do të thosha se nuk ka kushte për momentin në këtë Qendër Klinike. Duhet të ndërtohet një Qendër e Re Klinike, dhe në vend që të shëtisësh pacientin nga një spital tek tjetri, nuk mundesh as fillim e as mbarim të kapësh, besoni është një problem i madh”, thotë një qytetare e anketuar.
“Kushtet…nuk ka fare, kushte janë katastrofë…”, shton një qytetare shqiptare.
Qytetarët, qofshin ata pacientë apo familjarë të dikujt që është shtruar në ndonjë nga spitalet e qendrës klinike për kurim, kërkojnë investime urgjente në fushën e shëndetësisë.
“Të gjithë banorët e provincave të ndryshme të Maqedonisë vijnë për kurim në Shkup, dhe me këtë Qendra aktuale klinike stërngarkohet dhe thjesht njeriu nuk di çfarë të thotë, vallë të ndërtohet një Qendër e Re Klinike Universitare sipas standardeve evropiane dhe mos të mbetet më kështu i shpërndarë që të mos mund njeriu të orientohet brenda.”