I mituri, 16 vjeçar nga Shkupi është poshtëruar nga ana e njësitit, “Alfa”, duke e zhveshur lakuriq në vend publik me arsyetimin se po e kontrollonin për posedim të lëndëve narkotike. Në fund të kontrollit policia nuk gjeti asgje në trupin e djaloshit. Ky veprim jo human i njësisë “ Alfa” ka ndodhur në vitin 2016 dhe ka hyrë në raportin e Avokatit të popullit si rast eklatant i brutaliteti policor.
Prindi i të miturit rastin e ka denoncuar në Kontrollin e brendshëm të policsë për sjelljen johumane dhe degraduese të pjesëtarëve të ALFA-ve ndaj djalit të tij, por ankesa e tij është refuzuar si e pabazë.
I pakënaqur nga qëndrimi i policisë, për të mbrojtur të drejtat e djalit të tij të mitur, prindi rastin e ka paraqitur në zyrën e Avokatit të Popullit.
“Për shkak të sjelljes së këtillë johumane dhe degraduese, Avokati i Popullit menjëherë hapi procedurë duke kërkuar informata nga Kontrolli i Brendshëm i Ministrisë për ngjarjen dhe për nëpunësit e involvuar të policisë”, thuhet në raportin vjetor të Avokatit të popullit.
Meqë Kontrolli i Brendshëm nuk i dërgoi të dhënat dhe informatat e kërkuara, Avokati i Popullit i dërgoi Informatë me shkrim ministrit të Punëve të Brendshme për pengimin e punës së tij për lëndën konkrete.
“Pas dërgimit të të dhënave të kërkuara nga ana e Kontrollit të Brendshëm dhe pas bisedës së zhvilluar me të miturin e dëmtuar në zyrën e Avokatit të Popullit, Avokati i Popullit konstatoi se tre pjesëtarët e forcave policore i kanë cenuar të drejtat e personit të mitur, prandaj deri te Prokuroria Themelore Publike në Shkup, kundër tyre paraqiti kallëzim penal me të dhëna se ekzistojnë dyshime të bazuara se kanë kryer vepër penale – Torturë dhe trajtim tjetër brutal, jonjerëzor, nënçmues ose ndëshkues, të ndëshkueshme sipas nenit 142 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë”, theksohet në raport.
Në kallëzimin penal, Avokati i Popullit theksoi se shqetëson fakti se sjellja e këtillë e nëpunësve policorë ndaj kategorisë më vulnerabile dhe më delikate të personave të rinj mund të lë pasoja të thella në zhvillimin e tyre psikik dhe shpirtëror, si dhe mosbesim të thellë ndaj punës së pjesëtarëve të policisë.
Procedura për këtë kallëzim penal është në rrjedhë para Prokurorit Publik kompetent në Shkup, ndërsa Avokati i Popullit do ta ndjek me seriozitet rastin.
Mevludin Imeri
Almakos.com