Gjyqi mund të sjellë vendim që në tri komunat më të mëdha shqiptare në Maqedoni të ketë raund të katërt zgjedhor. Dhe jo vetëm në këto tri komuna. Jo vetëm në Tetovë, Çair e Strugë. Por edhe në shumë komuna tjera, Gjyqi mund të sjellë vendim që të kemi zgjedhje të reja lokale. Edhe për kryetar komune edhe për Këshill komunal. Cili gjyq do të pyetni? Gjyqi i popullit, gjithsesi! Nëse i keni dëgjuar bisedat mes Sash Mijallkovit dhe Musa Xhaferit, lidhur me emërimet e prokurorëve dhe gjykatësve, do të ishte iluzore se Gjykatat në Maqedoni mund të sjellin ndonjë vendim në interes të shqiptarëve. Vendim për raund të katërt zgjedhor mund të sjell gjyqi i popullit shqiptar në Maqedoni! Pse duhet të sillet një vendim i tillë?, parashtrohet pyetja. Sepse nuk kanë kaluar as dy javë nga mbyllja zyrtare e procesit zgjedhor dhe kanë filluar të dalin në shesh gënjeshtrat parazgjedhore. Nuk ka kaluar as një muaj që kur premtonin revidim të planeve urbanistike sapo të fitojnë në zgjedhje, kurse tani mafia urbane ka filluar të luajë vallen, aty ku e kishte lënë para fillimit të fushatës.
Nuk lanë parti pa akuzuar se kanë bashkëpunim të fshehtë me VMRO-DPMNE-në, dhe sapo kaluan zgjedhjet, vetë bëjnë shumicë nëpër këshille komunale me ndihmën e këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, ose partnerëve të VMRO-DPMNE-së. Ata që rrihnin gjoks se dinë të bëjnë vetëm bashkëpunim transparent, sot madje edhe me socialistët e Xingos e Llatasit bëjnë koalicion, vetëm për të arritur qëllimin nëpër këshille komunale.
Shoqëria shqiptare nuk duhet të lejojë që kjo sjellje e papërgjegjshme të kalojë pa u sanksionuar. Kemi vërejtur se në vende tjera, votuesit i hedhin edhe nëpër kontejnera politikanët gënjeshtarë. Mirëpo këtu tek ne nuk ka nevojë për masa të tilla. Sepse shqiptarët që janë kundër qeveritarëve (në nivel lokal dhe nivel qendror), janë sëpaku dyfish më shumë se ata që përkrahin qeveritarët. Shqiptarët e kanë forcën dhe kapacitetin e mjaftueshëm për të rrëzuar këtë pushtet me metodat më demokratike. mjafton të organizohen protesta, të bllokohen rrugët, të shpallet padëgjueshmëri qytetare dhe qëllimi do të arrihet. Nuk duhet t’i lëmë të “zgërdhihen” dhe të thonë “e hëngrën prapë shqiptarët. Edhe katër vite nuk ka zgjedhje, do të bëjmë ;ka të dojmë. Kur të vijë fushata do ta ndryshojmë pak filmin edhe prap do të në besojnë”. Nuk duhet t’ua lejojmë këtë luks. Sepse nëse edhe kësaj radhe lejojmë që të na manipulojnë si deri tani, nuk dihet se kur do ta kemi rastin e radhës për t’i dënuar në një proces demokratik.
Prandaj Gjyqi i Popullit duhet të fillojë “procesin” kundër gënjeshtarëve dhe manipulatorëve dhe të mos e ndërprejë deri sa të shpallen fajtorët. Partitë opozitare që fituan shumicën e votave shqiptare nuk guxojnë të hamenden më asnjë çast. Duhet marrë përgjegjësinë konform besimit që e kanë fituar nga elektorati shqiptar.