Shkruan: Shqipe Palloshi Zumberi
Nuk jam shtangur ndonjëherë nga leximi i një lajmi sikur u shtanga mbrëmë. Nuk më ka ndodhur të më dridhen këmbët duke lexuar. Të më vijë të vjell e të mos mund t’i hap sytë për një kohë të gjatë. Një fëmijë 11 vjeçar, refugjat nga Afganistani, kishte kryer vetëvrasje në një kamp në Austri. Një ditë pas kësaj, kishte humbur jetën në spital. Djaloshi po qëndronte në kamp refugjatësh me gjashtë vëllezërit e motrat. Së bashku me vëllain e tij 23 vjeçar, i kishte rënë barra e kujdesjes për vëllezërit e motrat më të vogla. Duhet t’i rendis këto fakte, sepse nuk i tregoi kush. Nuk u mërzit kush për ta kuptuar rrëfimin e tij, e për t’ia rrëfyer botës. Mbase mbante shumë dhembje e trishtim, prandaj. Sepse tremben zemrat tona të ngurtësuara. Tremben ta prekin dhembjen e tjetrit, se mos ngjallen! Mos nisin të ndjejnë! E zemrat e gjalla kanë jetë të vështirë. Prandaj, zgjedhim të mos dëgjojmë, të mos shohim, të mos bashkëndjejmë. Kështu më lehtë i shtyjmë ditët.
Por, ky shpirt i brishtë që jeta aq shpejt e kishte thyer nuk më hiqet nga mendja. Nuk e largoj për asnjë sekond prej mbrëmë. Më të kam fjetur, me të u zgjova sot. Një fëmijë është vetëvrarë. O Zot! O Zot! Më vjen të bërtas! Të gjitha fjalët në ekzistencë më vërsulen për t’u shfryrë mbi botën, mbi njerëzit. Të gjitha më bëhen nyje dhe nuk di çfarë të them më parë. Një fëmijë! Një krijesë aq e pastër, pa pikë ligësie. Prandaj edhe ka ikur. Shpirti i tij i njomë ka dashur të ik nga kjo botë e vrazhdë. Nuk e ka duruar shëmtinë e saj! Nuk e ka duruar moskokëçarjen e njerëzve, ftohtësinë e tyre. Kush e di sa zemra të ftohta ka takuar nga Afganistani në Austri. Kush e di sa përçmime e përbuzje ka përjetuar. Kush e di sa herë është përpjekur t’i mbajë të gjalla shpresat e tij, por me secilin hap, i janë thyer. I ftohti ia ka ngrirë. Si zemrat tona.
Çfarë duhet të përjetojë një fëmijë që ta mendojë vetëvrasjen?! Bëhet fjalë për një fëmijë! Truri im nuk do ta pranojë. Ai ka pasur shpresa pa kufi, ëndrra, një jetë të tërë përpara. Një i rritur mund ta mendojë më lehtë vetëvrasjen, ka kaluar shumë kohë në këtë botë të lodhshme, ka parë shumë zhgënjime, dhembje, trishtime. Është rrëzuar kush e di sa herë, pa pasur kush t’ia zgjasë dorën. Ka shpresuar më kot, ka dashur pa kthim, ka pritur pa ardhë gjëja që pret, ka kërkuar e nuk ka gjetur.. E lodh jeta njeriun! Dalëngadalë. Vitet. Ditët. Orët. Por, një fëmijë?! Një fëmijë që ka pasur shpresat të paprekura, ëndrra sa e mbushin gjithësinë, pastërti, pafajësi. Një fëmijë që nuk duhet ta ketë njohur anën e vrazhdë të jetës akoma. Që nuk duhet të ketë shijuar idhtësinë e vështirësive. Çfarë duhet të ketë përjetuar ai që të arrijë në pragun e vetëvrasjes?!
Çfarë ëndrra do të ketë pasur?! Nga se do të jetë frikësuar?! Çfarë ka dashur më shumë, a thua? Çfare ia ka ngrohur zemrën?! Zemrën që kjo botë ia ka ftohur aq shumë, sa më të mos rreh. A thua çfarë njeriu do të bëhej kur të rritej? Do të bëhej një njeri plot mëshirë e dhembshuri, apo ndoshta ligësia e moskujdesi i njerëzve do t’ia ngurtësonin zemrën? Do të bëhej edhe ai një nga të rriturit e gjithëdijshëm, të suksesshëm e të pamëshirshëm. Ndoshta edhe për këtë ka zgjedhur të ikë, të mbesë i pastër, pa e humbur shpirtin, si të mëdhenjtë që njëherë ia kishin shkatërruar familjen, e pastaj e kishin lënë në pamëshirën e vetmisë. A nuk e shihni si e vrasim njëri-tjetrin kështu çdo ditë?