Komisioni parlamentar për Çështje Evropiane ka anuluar seancën e paralajmëruar për sot për projekt – ligjin për gjuhët, që parasheh avancimin e gjuhë shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në FYROM. Vendimi u bë i ditur nga ana e kryetarit të këtij komisioni, deputeti i BDI (Bashkimit Demokratik për Integrim), Artan Grubi, i cili theksoi se ka çështje më urgjente që duhet të mbyllen në Kuvend.
“Kam vlerësuar se gjatë kësaj jave ka çështje më të rëndësishme që kanë të bëjnë me reformat, por kjo nuk ka të bëjë me deklaratën e eurokomisarit Johannes Hahn se Qeveria duhet të fokusohet në reformat që janë me prioritet”, theksoi Grubi.
Megjithatë në orët e mbrëmje para Kuvendit u mblodhën protestues të organizatës “Këshilli Nacional gjithëmaqedonas”, që janë kundër miratimit të ligjit të ri për gjuhën shqipe. Ata vendosën tenda, por që më pas u tërhoqën, duke mos dhënë shpjegime. Organizatorët theksuan se protestat do të jenë konstante ndërsa ligjin do ta kontestojnë duke dërguar çështjen edhe pranë Gjykatës Kushtetuese.
Nata e mbrëmshme ka kaluar nën masa të forta sigurie para Kuvendit dhe institucioneve tjera qeveritare. Ligji për gjuhën shqipe është pjesë e platformës dhe kërkesave të dy partive shqiptare në koalicionin qeverisës BDI dhe Aleanca për Shqiptarët. Por kundër miratimit të tij është VMRO-DPMNE. /balkaneu.com