Autori i librit Kronisti i vetmuar në qytetin e konsujve, është një personalitet i veçantë i gazetarisë sonë. Edhe pse me profesion ka qenë mësues, për dekada me radhë ai ka qenë i pranishëm edhe në faqet e shtypit tonë por dhe në radio e TV stacione, sikur gazetaria të ishte profesioni i tij i parë.
Shkruan: Daut DAUTI
Titulli i librit është “Kronisti i vetmuar në qytetin e konsujve”, vështrimi mban titullin “Një zë i rrallë nga Qyteti i Alfabetit”, por po të themi “Qenan Hasani-mohikani i fundit i gazetarisë shqiptare në Manastir”, nuk do të kishim gabuar. I tillë është fati profesional dhe njerëzor i gazetarit Qenan Hasani, libri i të cilit e pa dritën kohë më parë dhe të cilin po e promovojmë.
Autori i librit Kronisti i vetmuar në qytetin e konsujve, është një personalitet i veçantë i gazetarisë sonë. Edhe pse me profesion ka qenë mësues, për dekada me radhë ai ka qenë i pranishëm edhe në faqet e shtypit tonë por dhe në radio e TV stacione, sikur gazetaria të ishte profesioni i tij i parë. Duke e pasur parasysh angazhimin e tij si edukator, mbetet që të konstatojmë se Qenan Hasani me gazetari është marrë më shumë nga shtysa intelektuale e njerëzore si pjesëtar i një komuniteti pothuajse të izoluar, me qëllim që t’i nxjerrë nga terri informativ shqiptarët që i përfaqësoi përmes shkrimeve të tij.
Qenan Hasani u lind në vitin 1940 në fshatin Desovë të Prilepit. Katër klasat e shkollës fillore i kreu në vendlindje në gjuhën shqipe, kurse tetëvjeçaren në Dollnen të Prilepit në gjuhën maqedonase. Shkollën e mesme e ka kryer në Prilep, kurse Akademinë Pedagogjike në Qytetin e Alfabetit, Manastir. Plot 40 vjet Qenan Hasani iu përkushtua me zell të madh punës edukativo-arsimore me gjeneratat e reja, më së shumti, 35 vjet, në shkollën fillore të fshatit Këshavë të Manastirit.
Duke parë dhe duke përcjellë shumë procese shoqërore, politike e ekonomike në këtë mjedis specifik siç është Manastiri dhe Prespa, me lëvizje të mëdha migrative Qenan Hasani shumë herët e ndjeu nevojën për një kyçje tjetërfare në jetën shoqërore, me çka filloi me angazhimin e tij si korrespodent. Gazetaria për të u bë më shumë se një profesion “alternativ” i mësuesisë, sepse ai filloi të merret me të për ta sensibilizuar opinionin me pozitën e shqiptarëve të përvuajtur të këtij qyteti me histori të hidhur ku dikur numri i tyre ishte shumë më i madh, ndërkaq tash të mbetur në pakicë, më shumë se kurrë kishin nevojë për t’u marrë me hallet dhe problemet e tyre.
Në fillim ka bashkëpunuar me gazetën “Flaka e vëllazërimit” që gjatë viteve 70-të të shekullit të kaluar, për të zgjeruar bashkëpunimin edhe me 15 redaksi të tjera mediale, qofshin ato të shkruara apo elektronike, për shkak se cilido medium që kishte nevojë për informacione nga Manastiri, aty ishte Qenan Hasani, i cili ishte i palodhshëm dhe vazhdimisht në lëvizje, për të përcjellë si ngjarje politike ose proceset tjera shoqërore, por dhe kulturore e sportive.
Vetë titulli i këtij libri, pra Kronisti i vetmuar në qytetin e konzujve është metaforë për jetën dhe angazhimin profesional të Qenan Hasanit, sepse veproi në një hapësirë, si në skaj të botës shqiptare, ku jo vetëm ai ndjehej i vetmuar si gazetar, por të vetmuar dhe si jetimë mbeten të ndjehen edhe ata disa mijë shqiptarë të Manastirit me rrethinë, me sfida të vazhdueshme të mbijetesës. Ky libër është vetëm një pjesë e vogël e shkrimeve që autori i ka zgjedhur për botim, duke u kufizuar vetëm në skicat dhe reportazhet, të cilat kanë jetë më të gjatë se lajmet ose raportet, porse edhe qindra tekste tjera autori me pedantëri i ka përgatitur për t’i futur në kopertina libri në ndonjë rast tjetër, sepse ato janë një dëshmi e gjallë për frymëmarrjen e ngulçuar të njeriut të kësaj treve me një të kaluar të rrëmbyer dhe ardhmëri pa shumë optimizëm.
Të shpeshtën, shkrimet e tij janë përplot emocione, ndonjëherë më shumë seç do t’i lejohej një gazetari “të paanshëm”. Por, prej tij as që mund të pritej të jetë i paanshëm në një mjedis ku ai, edhe si autor bashkëndjen me hallet e njerëzve, sepse ai është në anën e së drejtës, dhe e mbron me ngulm të drejtën e shqiptarit të Manastirit për të qenë i barabartë, për të pasur shanset e njëjta si qytetarët tjerë, prandaj dhe “anshmëria” është më se e kuptueshme, madje dhe e arsyetueshme. Me një fjalë, Qenan Hasani, duke qenë korrespodent nga qyteti i konsujve, dhe kuptohet edhe i Alfabetit shqiptar, sa ka qenë gazetar, edhe më shumë ka qenë misionar, ndonëse në anën tjetër, në masë të madhe e ka vënë në sprovë angazhimin gazetaresk, duke u ballafaquar me dyer të mbyllura ose heshtje institucionesh kur është dashur të trajtojë ndonjë problem…
Kushdo që merret me gazetari e di një të vërtetë që e mësojnë që në fakultet: prodhimi themelor i gazetarit, pra lajmi, jeton vetëm një ditë. Profesioni i gazetarit është një vrap marramendës mbas lajmeve të çdoditshme, sepse ngjarja ngjarjen e shtyn dhe nuk ka kohë që t’u kushtohesh më gjatë. Me qindra e mijëra lajme ka shkruar edhe Qenan Hasani. Por, në librin e tij, nuk ka vend për lajme, por janë përmbledhur shkrime të zhanreve të tjera, siç janë reportazhet dhe skicat. Ato, në dallim nga lajmet, edhe pse edhe ato patjetër të kenë elemente lajmi, përmbajnë tabllo jete më universale, prandaj nëse ndonjë skicë të Migjenit mund ta lexojmë edhe sot, në kohën tonë, sepse janë dromca që pasqyrojnë jetën ne kohe dhe mjedis specifik, edhe këto reportazhe e skica jete të Qenan Hasanit i kanë ato ngjyra kohe, flasin për fate njerëzish me hallet e tyre të përditshme. Në libër kanë zënë vend fate të njeriut të mërguar përtej Atlantikut ose Oqeanisë, që vjen një javë a dy javë në vendlindje për t’u çmallë dhe ikë si pa kokë në mërgim, të njeriut që lufton për çdo ditë me ekzistencën, ose që mëton një jetë më dinjitoze në çdo pikëpamje. Rrëfimet e Qenan Hasanit, i qajnë hallet e njerëzve dhe mbajnë gjallë shpresën për ditë më të mira, janë rrëfime të gjalla plot kolorit emotiv, me përshkrime që të lënë mbresa.
Qenan Hasani ka dëshmuar se ka energji dhe vullnet të pashtershëm për të gjurmuar temat e jetës, dhe të shpresojmë se për librin e tij të ardhshëm nuk do të presim shumë.
(Fjalë nga promovimi i librit më 17 nëntor)