Më shumë se 70 ekspozues nga 11 vende prej të cilave 20 nga Maqedonia përfaqësohen në Panairin e parë ndërkombëtar të inovacioneve, patentave dhe teknologjive të reja “INOVAMAK 2017”, që prej sot e deri më 23 nëntor po mbahet në Shkup. Panairi është në organizim të Asociacionit Kombëtar të Shpikësve të Maqedonisë – NAIM, i cili është anëtar i barabartë i Federatës Botërore të Lidhjeve të Shpikësve IFIA. “Qëllimi kryesor i këtij panairi ndërkombëtar është hapja e horizonteve të reja të shpikësve tanë ndaj fushës më të gjerë të veprimeve inovative në botë, por edhe mundësim të një numri të madh të kontakteve, këmbim të përvojave, si dhe lehtësim të rrugës drejt realizimit të shpikjeve të tyre”, theksoi drejtori Mirko Uzelac.
Ai theksoi se Maqedonia disponon me potencial inovator respektabil, i cili, siç tha, nuk është shfrytëzuar dhe afirmuar mjaftueshëm jashtë kufijve të vendit. “Pikërisht panairet e tilla mund të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes”, theksoi Uzelac. Orari i punës i Panairit është nga ora 10 e deri në 19, ndërsa hyrja është falas. Në Panair ka ekspozues nga Kina, Malajzia, Rusia, Tajvani, Republika Çeke, Rumania, Bullgaria, BeH, Republika Sërpska, Serbia dhe Sllovenia. Në Panair janë paraqitur inovacione dhe patenta nga disa fusha, prej të cilave pjesa më e madhe nga fusha e elektroteknikës.