Numri i të vdekurve nga përmbytjet të cilat tre ditë më parë goditën vendet Mandra, Nea Peramos dhe Megara në afërsi të kryeqytetit grek, Athinë, është rritur në të paktën 19 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të ekipeve zjarrfikëse, në 24 orët e fundit në oborrin e një fabrike në Mandra e cila është goditur më shumë, nga mbetjet e baltës është nxjerrë një person i vdekur.
Ekipet e rojës bregdetare në afërsi të bregut në Eleusini kanë gjetur trupat e pajetë të dy personave, ndërkohë që vazhdon operacioni për kërkim dhe shpëtim në rajonet e përfshira nga përmbytjet.
Në perëndim të Athinës akoma vazhdon aksioni për evakuim dhe pastrimin e zonave të përfshira nga përmbytjet të cilat kapluan vendin të mërkurën, duke shkaktuar qindra të pastrehë dhe 23 të lënduar.
Uji dhe balta kanë shkatërruar 300 automjete dhe 20 kamionë, si dhe rreth 300 objekte banimi dhe të bizneseve. Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, shpalli një ditë zie.