Ndërmjetësi i KB-së në bisedimet për çështjen e emrit midis
Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic caktoi takim me përfaqësuesit e dy vendeve në Bruksel më 11 dhe 12 dhjetor.
“Takimi është pjesë e angazhimeve të KB-së që t’u ndihmohet të dyja palëve të gjejnë zgjidhje të përbashkët e të pranueshme për çështjen e emrit”, thuhet në kumtesën e zyrës së Nimicit. Fillimisht bisedimet u planifikuan për javën e ardhshme, por u anuluan dhe u ricaktuan për në dhjetor. Raundi i ri i bisedimeve vjen në periudhën e klimës së përmirësuar politike midis Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe pritjeve optimiste nga Shkupi, Athina dhe Uashingtoni për t’i dhënë fund kontestit shumëvjeçar.
Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan, Hojt Ji javën e kaluar në një debat në Uashington tha se çështja e emrit deri më tani është në nivelin më të lartë dhe më afër gjetjes së zgjidhjes. Shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias, nga ana tjetër, deklaroi se pret çështja të mbyllet në gjysmën e parë
të vitit të ardhshëm, ndërsa kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, se duhet të bëhet një hap dhe se tani ekzistojnë mundësi më të mëdha se më parë që të gjendet zgjidhje me Greqinë.