Si çdo vjet, edhe sivjet, pas fillimit të vitit shkollor, Organizata Humanitare “El Hilal” në kuadër të programit vjetor realizoi projektin “Çanta dhe pajisje shkollore për nxënësit nevojtarë”. Ky aktivitet zhvillohet në muajt shtator dhe tetor, kur në koordinim me degët, përkatësisht me arsimtarët hartohet lista e nxënësve të cilët nuk kanë pasur mundësi të pajisen me mjete shkollore edhe pas fillimit të vitit shkollor.
Aksioni u rrumbullakua me sukses. Kështu, në bashkëpunim me degët e organizatës në Çair, Saraj, Gostivar, Kumanovë dhe në Maqedoninë Lindore, nxënësve skamnorë iu ndanë gjithsej 500 çanta, rreth 4000 fletore, mbi 2000 lapsa dhe pajisje tjera shkollore.
Komisioni, i themeluar enkas për të udhëhequr këtë aktivitet, në krye ma Talat Sadikun dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të “El Hilal”-it, Ali Sadikun,Nait Rexhepi dhe Irfan Isakun, qëndruan në fshatin Dragoshor të Strumicës. Aty morën pjesë në shpërndarjen e 50 kompleteve për nxënësit e shkollës fillore të këtij fshati.
Ky aktivitet i “El Hilal”-it realizohet pa ndërprerë për 14 vite, gjë që është një fakt për kontributin tonë për arsimimin e gjeneratave të reja, kuptohet përveç formave tjera të ndihmës në këtë sferë që i realizon “El Hilal”-i.