Të gjitha këto dokumente sot janë dorëzuar nga qytetarët e Haraçinës, të cilët nuk kanë nënshtetësi. Banorët vijnë njëri pas tjetrit në zyrën e gjendjes civile të kësaj komune, me shpresën që do të gjejnë zgjidhje për problemin e tyre. Një ditë pas emisionit të mbrëmshëm “Click Plus” ku u diskutua për nënshtetësitë e mohuara, Komuna e Haraçinës hapi dyert për banorët që të paraqesin të gjitha dokumentet e nevojshme për ri aplikuar për marrjen e nënshtetësisë.
Pasi që i dorëzuan dokumentet, ky çift në moshë të shtyrë thotë se nuk kanë lënë derë pa trokitur për të marrë nënshtetësinë, por shpresojnë që iniciativa e komunës t’iu bëj qarën përfundimisht.
“Së pari nuk na kanë bërë kurorë, tani para tre vjetësh kemi lidh kurorë edhe pse kam ndërruar tre letërnjoftime. Djalin më të madh që e kam lindur këtu tani i ka 43 vjet. A keni vështirësi të shkoni tek mjeku? Po shkoj dhe paguaj të gjitha shërbime privat. Nuk kam librezë të shëndetësisë, andaj paguaj me para. A shpresoni që tani me iniciativën e Komunës do të kryeni punën? Mendoj, por…!”, tha Milica Abazi, banore e fshatit Brezë.
Kjo zonjë nga Kosova, e martuar në Haraçinë thotë se fëmijët e tyre kanë nënshtetësi, por asaj iu është mohuar kjo e drejtë. (Pamje me atmosferë se si kryhet procedura e marrjes se dokumenteve …)
“Ka që 9 vjet shkoj nëpër gjykata duke bredhur poshtë e lartë. Më udhëzojnë shko atje e të kthehem, më nuk di as nga t’ia mbaj, andaj u drejtova tek komuna. Kaq vite duke vrapuar pas dokumenteve dhe përsëri nuk arrijmë të marrim nënshtetësinë”, u shpreh Zahir Kurtishi, banor i fshatit Haraçinë.
Nga Komuna e Haraçinës thonë se kanë marrë iniciativë për t’iu ofruar banorëve ndihmë juridike me qëllim që të përshpejtojnë procedurat për marrjen e nënshtetësisë. Në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm, banorëve iu del në ndihmë sekretari i komunës, Elmaz Misini, i cili thotë se që nga mëngjesi janë dorëzuar mbi 20 ankesa të banorëve të zonës.
“Do të ju ndihmojmë sipas mundësive tona. Të gjitha ankesat e qytetarëve do t’i përmbledhim në një kërkesë të vetme, të cilën do ta dorëzojmë tek Ministria e punëve të brendshme, dhe pas asaj autoritetet përkatëse do të japin qëndrimin e tyre për këtë çështje”, u shpreh Elmaz Misini, Sekretar i Komunës së Haraçinës.
Nga Komuna thonë se dyert do të jenë të hapura deri në pranimin e ankesës së fundit nga palët, sipas të cilëve në këtë komunë jetojnë dhjetëra banorë që nuk posedojnë nënshtetësi. Në kuadër të kësaj iniciative, edhe vet kryetarja e komunës Milikije Halimi ka bërë thirrje publike se çdo të enjte do të zhvilloj takime direkte me qytetarët për të dëgjuar telashet e tyre.