Euro-komesari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Han javën e ardhshme do të vijë në Shkup. Kjo vizitë pritet të ndodhë menjëherë pasi Qeveria të publikojë planin e reformave për 6 muajt e ardhshëm.
“Mezi pres ta vizitoj Shkupin javën e ardhshme, me takime politike dhe shkëmbime me shoqërinë civile. Takim i shkëlqyeshëm me Zv/kryeministrin, Bujar Osmani dhe Ministrin e Jashtëm, Nikolla Dimitrov. Jam i bindur se Qeveria do ta shfrytëzojë momentin pozitiv dhe do të shohë rezultatet e reformave deri në fund të vitit. Kjo kërkon bashkëpunim të të gjitha forcave politike, përfshirë edhe opozitën- deklaroi eurokomesari Johanes Han.
Burime diplomatike kanë thënë se gjatë qëndrimit në Shkup, Han do ta qortojë kryetarin e BDI-së për “festën banditeske” të kësaj partie në Çair dhe në komuna tjera. Njëkohësisht Han pritet shprehë pakënaqësinë për mosarrestimin e “banditëve” që gjuajtën në mes të Shkupit edhe pse Brukseli ka informacione që policia e Maqedonisë e din se kush janë “banditët”, por qëllimisht është duke i toleruar.
“Duhet të marrë fund tolerimi i bandave nga policia e Maqedonisë”, kanë thënë këto burime diplomatike.