Me nismën e Ministrisë së arsimit dhe shkencës është duke u përpiluar Projekt Strategjia Nacionale për Arsim 2018 – 2025 e cila më pas do të dërgohet në komisionet qeveritare dhe në fund do të kaloj për votim edhe në Kuvendin e RM-së. Në përpilimin e kësaj Strategjie janë kyçur institucione arsimore dhe individë të ndryshëm të cilët do të krijojnë modelin e arsimit i cili do të realizohet në periudhën që vijon 2018-2025 e ndoshta edhe më tej.
Meqë me këtë dokument, parashihen synimet, qëllimet, vizionet kurrikulare, kompetencat që duhen zhvilluar, linjat dhe nënlinjat e studimit dhe të gjitha këto duhet të jenë në një vijë me mjetet didaktike – mësimore, përkatësisht tekstet shkollore / mësimore, me të cilat do të arrihen të gjitha pikat e lartshënuara, e shoh të rrugës që këto të përpilohen në atë mënyrë që t’i jepet hapësirë futjes në përdorim të Abetares Shqipe Mbarëkombëtare.
Në versionin fillestar i cili iu është dërguar disa institucioneve në shqyrtim publik dhe për të dhënë sugjerime konkrete nuk jep mundësinë e futjes së Abetares Shqipe Mbarëkombëtare. Me këtë i bie që nxënësit shqiptarë të R së Maqedonisë edhe në periudhën e ardhshme nuk do të mësojnë njëjtë si nxënësit shqiptarë të R së Shqipërisë apo të R së Kosovës. Dhe jo vetëm kaq, Strategjia e Nacionale e Arsimit nuk do të lejojë që të kemi përputhje me sistemin arsimor dhe në lëndë të tjera mësimore, që i bie se gjuhën, letërsinë, historinë, muzikën dhe shumë të lëndë të tjera, ndryshe do t’i mësojnë nxënësit shqiptarë në Maqedoni e ndryshe ato në Shqipëri e Kosovë.
Ju bëjë thirrje të gjithë atyre që kanë marrë përsipër që të jenë në pozicione vendimmarrëse në institucionet qeverisëse, apo edhe në Kuvend, nga duhet të kalojë për miratim kjo strategji, të jenë më vigjilent dhe të ndërhyn me kohë, për të parandaluar një mospërfillje të gjuhës, letërsisë, kulturës dhe traditës shqipe. Nëse kjo kalon tani, në këtë formë, duhet që të pritet edhe shumë kohë deri sa të krijohet ndonjë strategji tjetër, për të cilën nuk e dimë se çfarë do të parashoh.
Lëvizja BESA në programin politik të sajin parasheh një vizion të tillë për arsimin shqip në Republikën e Maqedonisë dhe për realizimin e të njëjtit do të angazhohet edhe në Kuvendin e RM-së, si edhe do të ngre zërin gjithandej për ta ndryshuar gjendjen ekzistuese dhe atë që parashihet me këtë Strategji të arsimit.