Shkruan: Xhevdet POZHARI
Me mbajtjen e rrethit të tretë votues në një njësi zgjedhore të Komunës së Çairit (ku vetëm budallenjtë politik nuk e dinin se do të fitojë BDI’ja) përfundimisht u mbyll procesi i zgjedhjeve vendore në Maqedoni. Me këtë rast u mbyll dera katërvjeçare e “sunduesve” lokal, të cilët do të vendosin për fatin e qytetarëve si dhe mund të thuhet se morri fund periudha e vjedhjes dhe blerjes së votave, ndërsa tani fillon katërvjeçari i plaçkitjes së qytetarëve dhe i kthimi të investimit që bëri Bashkimi Demokratik për Integrim për t’i mposhtur partitë opozitare shqiptare.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale të këtij viti në Maqedoni, lirisht mund të thuhet se fitues absolut i tyre është LSDM’ja. Njësoj siç duhet thënë se humbësi më tragjik i tyre janë shqiptarët e Maqedonisë, të cilët i mposhti i njëjti Zaev që ata e ndihmuan ta rrëzonte regjimin VMRO DPMNE-BDI. Dhe Zaev këtë ndihmesë shqiptarëve të Maqedonisë ua “shpërbleu” gjatë zgjedhjeve lokale duke u bashkuar me BDI’në që t’i mposhtte shqiptarët të cilët e ndihmuan. LSDM’ja është fituese absolute edhe sa i përket komunave me shumicë shqiptare ku fitoi me kandidatët e saj shqiptarë të mbuluar me emblemën e BDI’së. Dhe mbase kështu edhe filloi procesi i pandalshëm i zhbërjes së indit politik shqiptarë në Maqedoni dhe i kthimit të shqiptarëve të këtushëm aty ku ishin gjatë socializmit, në kohën kur çdo gjë e tyre vlente vetëm për aq sa mund t’u shërbente partive maqedonase.
Zgjedhjet lokale të këtij viti në Maqedoni treguan edhe atë që e dinin të gjithë, por më lehtë e kishin të shtiren se as kanë parë, as kanë dëgjuar gjë: se BDI’ja thuajse kurrë nuk ka qenë parti shqiptare, por vetëm degë shqiptare e partive maqedonase. Andaj, në këto zgjedhje ajo më nuk kishte më se si ta fshehte këtë të vërtetën dhe drejtuesit e BDI’së thanë thuajse hapur: ne që dikur ishim dorë e zgjatur e VMRO – DPMNE’së, sot jemi dora e zgjatur e LSDM’së. Gjë që prodhoi edhe perversitetin e radhës të Ali Ahmetit, i cili gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare atdhetarizmin dhe patriotizmin shqiptarë e barazonte me mosvotimin e LSDM’në, ndërkaq, gjatë zgjedhjeve vendore, ardhmërinë e partisë së vet dhe fatin e tij politik e dorëzoi në duart e Zoran Zaevit.
Sa i përket partive opozitare shqiptare ato bënë atë që ishte në mundësitë e tyre kundër makinerisë shtetërore që punonte për t’i mposhtur, veçanërisht Lëvizjen Besa. Kjo lëvizje politike e cila edhe pse e përballur me nëntokën politike e kriminale nuk u dorëzua dhe bëri të mundurën që i mbeti: të mbronte dinjitetin e shqiptarëve të atjeshëm. Mirëpo, kjo nuk e mbulon edhe një të vërtetë se Lëvizja Besa pati edhe një armik shtesë: vetveten! Armikun që i erdhi nga ata që interesat partiake i barazuan me ato personale dhe të cilët partinë e identifikuan me vetveten. Njerëz të cilët, duke mos mundur të përballen me kundërshtarët politik, filluan të merren me “miqtë” dhe “portalet e Besës”, që nga jashtë e dëmtonin këtë Lëvizje. Kështu u shpalos edhe e vërteta se disa veprimtarëve të Lëvizjes Besa askush nuk u kishte treguar se shtëpiari i mirë kurrë nuk e pështynë shtëpinë tij nga jashtë, por vetëm kur është brenda saj. Siç nuk u kishte treguar askush se aktiviteti opozitar i një partie parlamentare nuk përfundon, por fillon, ditën kur vendos të mos bëhet pjesë e koalicionit qeverisës. Edhe atë me veprimtari të detajuar parlament e jashtëparlamentare. Gjë të cilën Lëvizja Besa nuk e bëri as pas zgjedhjeve lokale kur duhej ta ngrinte zërin kundër zgjedhjeve më të pista që kurdoqoftë janë mbajtur në Maqedoni.
Sa i përket bllokut politik shqiptarë duhet thënë se vetëm Aleanca për Shqiptarët mund të mburret me atë që arriti. Dhe mbase edhe nuk është i rastit forcimi i ASH’së, sepse drejtuesit e saj janë të shkollës politike të PDSH’së, të shkollës që edhe kur humb, fiton! Dhe kur bëhet fjalë për Ziadin Selën, duhet pranuar një të vërtetë: ai bëri aleancë me Lëvizjen Besa edhe pse nuk kishte gjithaq nevojë për diçka të tillë. Por, ai e bëri këtë pse posedon atë që i dallon politikanët e shkathët: çdo situatë ta kthejnë në favor të tij dhe sot të investojë në atë që do i kthehet në profit nesër. Dhe tani, pasi e përdori me aq sa mundej dhe e lë anësh krahun e BDI’së në radhët e Aleancën për Shqiptarët – atë të Vesel Memedit – Ziadin Sela bëri të duhurën: aleancë me Lëvizjen Besa. E bëri këtë aleancë sepse – si çdo politikanë që i parallogaritë gjërat – ai kështu e futi ‘nën hipotekë’ Lëvizjen Besa dhe e arriti thuajse të pamundurën: që të jetë edhe parti qeveritare edhe parti opozitare (edhe me Zaevin dhe Alin, edhe me Bilallin). Me këtë veprim politik, Ziadin Sela në njëfarë mënyre edhe Lëvizjen Besa e bëri pjesë të qeverisë duke mos pasur hise fare në qeveri, si dhe vetvetes ia krijoi mundësinë që kur të dojë ta braktisë qeverinë me arsyetimin se këtë e bënë për ta mbrojtur aleancën opozitare me Lëvizjen Besa. Dhe ky veprim i Ziadin Selës edhe një herë dëshmon se nga politika nuk përfitojnë as më të mençurit, as më të ndershmit, por ata që janë më të gjindshëm.
Duke mos mundur dhe duke mos dashur ta fshehë afërsinë e vet me disa nga drejtuesit e Lëvizjes Besa, autori i këtij teksti, jo falë subjektivizmit të tij, por hir rinisë që qëndron pas saj, publikisht e pohon se pa marrë parasysh të gjitha, mbetet e vërtet se Lëvizja Besa vazhdon të jetë e ardhmja politike e shqiptarëve të Maqedonisë. Njësoj siç mbetet e vërteta se kjo Lëvizje ka potencial rinor që nuk vuan nga mendësia politike e cila në çastin që nuk mund të përballet me vetveten, fajtorin për dështimet e kërkon jashtë vetvetes. Të rinj që e kanë kuptuara se politika nuk është profesion me të cilin mund të pensionohesh, se vetëm budallenjtë politikë ndehen të vetëmjaftueshëm, se një parti që i mbyllë dyer e dritare dhe nuk e përtërin gjakun e saj politik, shumë shpejtë fillon t’i ngjajë “kafenesë së paajrosur”, e cila rrënohet dhe qelbet.