Gjatë vizitës së tij në Kumanovë, ambasadori i Francës në Maqedoni, Kristian Timonie, takoi një delegacion të BDI-së në Kumanovë, me ç’rast u bisedua edhe për dënimin e pjesëtarëve të “Grupit të Kumanovës”, për çka u kërkua rigjykim dhe ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, shkruan MRT.
“Jam i kënaqur që takova përfaqësuesit e BDI-së, konkretisht për të bërë një vështrim mbi evoluimin e ngjarjeve në qytetin e Kumanovës. Kumanova është një qytet emblematik, simbolik e i bashkëekzistencës së komuniteteve të ndryshme dhe është tejet e rëndësishme që gjërat këtu të kenë sukses”,– deklaroi ambasadori i Francës në RM, Christian Timonie.
“Ne biseduam me ambasadorin dhe na dha shpresë se do të kemi ndihmë nga Ambasada e Francës për secilën çështje që do të kemi nevojë”,– tha këshilltari komunal – BDI, Fatmir Idrizi.
“Kërkuam nga ambasadori një ndihmë edhe që të ndërhyn që të rikthehet edhe një herë gjykimi i “Grupit të Kumanovës” dhe të gjykohet jo me burgim të përjetshëm apo 40 vjet burg, por të ketë një lehtësim dhe të gjendet një ndërhyrje adekuate me ndihmën e faktorit ndërkombëtar”,– theksoi këshilltari komunal – BDI, Feriz Dervishi.
Timonie pati një takim me kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievskin. Me këtë rast u bisedua për zgjedhjet e porsapërfunduara lokale, konstituimin e Këshillit të ri komunal, si dhe për ecurinë e disa projekteve të rëndësishme në qytetin e Kumanovës.
NEXHAT AQIFI