Kryetarët e Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë, Kadri Veseli dhe Gramoz Ruçi, pas takimit të mbajtur në Prishtinë njoftuan se Kuvendet e të dyja vendeve do të formojnë një komision të përbashkët për zgjedhjen e problemeve legjislative, duke përfshirë edhe shkëmbimin e studentëve, lejen e qëndrimit dhe regjimin doganor, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, nisi sot vizitën e tij dyditore në Kosovë, me ftesë të homologut Kadri Veseli. Ruçi në këtë vizitë zyrtare është i shoqëruar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho dhe nga kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.
Pas takimit, dy homologët Veseli dhe Ruçi në një konferencë të përbashkët për shtyp theksuan se kanë diskutuar për mundësitë e intensifikimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve dhe dy vendeve.
Veseli gjatë fjalës së tij tha se Kosovën dhe Shqipërinë nuk i bashkon asgjë më shumë se integrimi i përbashkët në Bashkimin Evropian (BE) si dy shtete të pavarura dhe sovrane.
“Në aspektin politik, diplomatik qoftë brenda integrimeve rajonale, qoftë integrimeve në BE e deri në OKB, Republika e Shqipërisë është avokati kryesor i joni krahas partnerëve tanë perëndimorë, veçanërisht të SHBA-ve dhe vendeve perëndimore të BE-së, të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe e ndihmojnë dhe promovojnë Republikën e Kosovës si vend i cili është paqësor dhe vend i cili është demokratik”, tha Veseli.
Veseli po ashtu tha se brenda një viti do të krijojnë një komision të përbashkët në mënyrë që në vitin e ardhshëm akademik të ndodhë shkëmbimi i studentëve të të dyja vendeve, duke theksuar gjithashtu edhe çështjen e shkëmbimeve tregtare që mallrat të kalojnë pa barriera burokratike.
Ndërkaq, kryeparlamentari i Shqipërisë tha se kjo vizitë e parbashkët me tre krerët e grupeve parlamentare të Shqipërisë është prova më e mirë që Tirana është unike kur është fjala për Kosovën.
Ruçi theksoi se këto vizita duhet të shërbejnë për të zgjidhur problemet e ndryshme me të cilat përballen qytetarët e Kosovës dhe bëri thirrje që akterët politikë të Kosovës ta zgjidhin çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
“Ne inkurajojmë përpjekjet që bëhen në Kosovë për sa i përket çështjes së demarkacionit dhe e dimë se është problem i vështirë, ka një debat politik midis forcave politike dhe i inkurajojmë ato që të shikojmë tej interesave të thjeshta partiake dhe të mos e humbasim mbështetjen, veçanërisht atë të partnerëve tanë, siç janë SHBA-të dhe BE-ja”, tha Ruçi.
Ruçi dhe delegacioni i tij pas takimit me kryeparlamentarin Veseli zhvilluan takime edhe me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kyeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.