Shoqata e Gazetarëve në Maqedoni (SHGM) dënon ashpër paraburgimin e kameramanit nga TV21, Ibrahim Mahmuti dhe fotoreporterin nga Kosova, Blerim Uka që ndodhi gjatë shqiptimit të vendimit për rastin “Lagja e Trimave”.
“Është e neveritshme se ky sulm ndaj lirisë së mediave ndodhi më 2 Nëntor, Dita ndërkombëtare kundër mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve. Sjellja e tillë e institucioneve është e papranueshme dhe ka për qëllim t’i frikësojë gazetarët dhe të nxitë vet censurimin kur raportojnë për procese të caktuara gjyqësore”, thuhet në reagimin e SHGM-së.
Mahmuti dhe Uka, gjashtë orë u mbajtën në stacionin policor me arsyetim se ata i kanë filmuar gjyqtarët. Nga biseda me to pas lirimit të tyre, irriton fakti se fotografimi ka qenë vetëm arsyetim për t’i marrë gazetarët në pyetje sepse kanë incizuar anëtarë të policisë jashtë ndërtesës së gjykatës.
“Ngelë dilema rreth asaj se a ka pasur policia urdhër për arrestimin e kolegëve sepse Prokuroria publike dje na informoi se nuk ka dhënë kërkesë, ndërsa sot e thonë të kundërtën. Pyesim, çfarë ka kontribuuar që Prokuroria publike të ndryshojë qëndrimin?”, thonë nga SHGM.
ShGM do të dërgojë ankesë deri te MPB për mbajtjen e kolegëve në stacionin policor për gjashtë orë pa iu dhënë mundësi që të lajmërojnë redaksitë dhe familjet e tyre se janë në paraburgim.
Nga SHGM i bëjnë thirrje policisë që seriozisht të hetojë këtë incident dhe të shqiptojë sanksione përkatëse.