Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji sot deklaroi se këtyre ditëve zyrtarisht do të nënshkruhet dhe dërgohet kërkesa për ekstradim të Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkosit nga Greqia në Maqedoni.
Saliji, i cili mori pjesë në prezantimin e raportit për bashkëpunimin me Akademinë franceze kombëtare për jurisprudencë, konfirmoi se Gjykata Penale më 1 nëntor e ka kompletuar dokumentacionin e nevojshëm për ekstradim dhe e ka dorëzuar deri te Ministria e Drejtësisë për procedurë të mëtejshme.
Grujevski dhe Boshkoski, siç paraprakisht publikoi MIA, janë në arrest ekstradues në Selanik. Ata dy herë u nxorën para Gjykatës në Selanik për shkak të posedimit të dokumenteve të rrejshme të udhëtimit, por gjykimi u shty për më 1 dhjetor për shkak të mospasjes të përkthyesit nga gjuha greke në atë maqedonase.
Grujevski dhe Boshkoski janë të akuzuar nga Prokuroria Speciale Publike për përgjim ilegal dhe për shkatërrim të sistemeve për përgjim, raste të njohura si “Fortesa”, “Target” dhe “Fortesa 2”.
Që të dytë janë arrestuar nga policia greke në aeroportin në Selanik më 18 tetor, gjatë përpjekjes që me pasaporta të rrejshme bullgare të largohen me aeroplan për në Budapest.