Në suaza të konferencës ekonomike rajonale në Budvë – “Konferenca ekonomike e Malit të Zi 2017 – Sfidat në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Renata Deskoska mori pjesë në panel diskutimin “Shkenca si shtytës i zhvillimit ekonomik “. Ministrja, siç njofton MASH, ka theksuar se që të stimulohet dhe avancohet progresi teknologjik, vendet në zhvillim duhet të investojnë në arsimin cilësor të të rinjve, si dhe trajnime të vazhdueshme për fuqinë punëtore.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë në mënyrë aktive e mbështet përcaktimin se investimi më i madh është edukimi i gjeneratave të reja, dhe me anë të stimulimit të kreativitetit të tyre shkencor si shtet do të krijojmë potencial të ri shkencor, të cilët përmes hulumtimeve të tyre dhe njohurive do t’u japin shtysë në drejtim pozitiv në të gjitha sferat në shoqëri dhe në shtet. Krijimi i politikave të përshtatshme dhe ndërmarrja e masave për zhvillimin e shkencës si dhe investimi më i madh në shkencë janë detyra kryesore e Ministrisë sonë”, ka theksuar Deskoska. Në panel, ministrja ka theksuar se MASH në periudhën e ardhshme do të zbatojë një numër të madh masash dhe aktivitetesh me qëllim që të rritet cilësia e arsimit në të gjitha nivelet.