Zaev thotë se ende nuk ka biseduar me Çedomir Sazdovskin, por siguron se mazhoranca është e fortë, pavarësisht se çfarë vendimi mund të marrë kreu i ASh-së.
“Me Sazdvoskin ende nuk kemi biseduar për shumicën parlamentare, që edhe ai të jetë pjesë e saj. Por, unë kam dëshirë që të bisedoj me të gjithë deputetët. Nuk dua që t’i sforcoj proceset, dua që ata të ndodhin në mënyrë të natyrshme. Por, e di se kemi shumicë parlamentare edhe pa Selën. Megjithatë, ju e dini se unë gjithnjë kam tentuar që shumica të jetë sa më e fortë”,– u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Kreu i ekzekutivit thotë se për momentin vetëm po ndjek deklaratat e partnerëve qeveritarë, por nuk ka biseda me partnerë të rinj eventualë. Zaev thotë se po i lë partnerët e tij të qetësohen dhe gjatë fundjavës paralajmëron se bashkërisht do të shqyrtohen të gjitha mundësitë.
“Nuk kam biseduar me askënd për këto kombinatorika, për hyrje dhe dalje nga Qeveria. Nuk dua t’i komentoj qëndrimet e tyre. Po i ndjek deklaratat e partnerëve tanë të koalicionit qeveritar, të cilët komentojnë por nuk bisedojnë me mandatarin. Kështu që le të pushojnë këtë javë. Gjatë fundjavës do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë”,- tha Zaev.
Ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i ASh-së për pjesëmarrje edhe më tej në koalicionin qeverisës. Lideri i saj, Zijadin Sela, më shumë herë ka akuzuar kryeministrin Zaev për mbështetje të njëanshme të njërit partner në dëm të tjetrit dhe për përçarje.
Por, ka potencuar se mbetet pjesë e qeverisë. Nuk dihet nëse ASh do të mbetet në të njëjtin vlerësim nëse Zaev zgjeron koalicionin edhe me PDSh-në, siç flitet. Gjërat pritet të qartësohen gjatë fundjavës, siç paralajmëroi kryeministri, kur duket se do të dihet qartë nëse do të ketë hyrje apo dalje nga Qeveria.