Koalicioni qeveritar LSDM-BDI në zgjedhjet lokale ka fituar dhjetë komuna shqiptare, por në tre komunat urbane më të rëndësishme kanë humbur shumicën në asamblenë komunale. Këshillat e komunave të Tetovës, Strugës dhe Çairit në të ardhmen do të kontrollohen nga opozita shqiptare, Aleanca me Besë.
Kryetarët e Tetovës, Strugës dhe Çairit do ta kenë të pamundur të zbatojnë projektëet e premtuara pa bashkëpunimin me opozitën shqiptare, shkruan Almakos.
Koalicioni qeveritar i Zaevit dhe Ali Ahmetit në kuvendin e Tetovës ka marrë 12 mandate, ndërsa opozita shqiptare dhe ajo maqedone kontrollojnë 18 mandate këshilltarësh.
Situatë e ngjashme është edhe në qytetain e Strugës. LSDM dhe BDI bashkë kanë 13 mandate në Këshillin e komunës, ndërsa opozita shqiptare dhe maqedone kanë 14 mandate, prej të cilëve Aleanca ka tetë mandate, Besa dy dhe VMRO katër.
Një mandat më shumë opozita shqiptare dhe ajo maqedone kanë edhe në kuvendin e komunës së Çairit në Shkup. Koalcioni BDI dhe LSDM në këshillë kanë 13 mandate, prej të cilëve nëntë i takojnë partisë së Ahmeti dhe katër partisë së Zaevit. Opozita shqiptare dhe maqedone në Çair kanë shumicën në asamblenë komunale me 14 mandate.
Fitore të Piros koalicioni BDI -LSDM kanë shënuar edhe në komunën rurale të Tetovës, Tearcë. Shumicën në Këshillit e komunës e kontrollon opozita shqiptare dhe ajo maqedone. Besa, Aleanca, PDSH dhe VMRO kanë 11 mandate, karshi tetë të kolaicionit fitues për kryetar të komunës, i cili ka marrë tetë mandate në Këshillë.
Shumicë komode kryetarët e komunave të koalicionit BDI dhe LSDM kanë në komunën e Dibrës, Sarajit. Kryetari i rizgjedhur i Dibrës, Ruzhdi Lata, në Këshillë do ta ketë mbështetjen e tetë këshilltarëve, pesë të BDI dhe tre të LSDM. Në Saraj, Blerim Bexheti i BDI do të mbështetet nga dhjetë anëtarët e Këshillit të komunës, ndërsa nëntë janë të opozitës.
Mevludin Imeri
Almakos.com