Raportuesja në largim e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, në përfundim të vizitës së saj të fundit si raportuese për Kosovën, mbajti një konferencë për media së bashku me raportuesin e ri, Igor Šoltes, raporton AA.
Lunaçek e cila ka filluar mandatin e saj si raportuese në PE një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës gjatë konferencës bëri të ditur se gjatë 8 viteve si raportuese për Kosovën ka patur progres në shumë fusha në Kosovë duke theksuar se ende ka vend për progres.
Duke theksuar dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, Lunaçek tha se implementimi i marrëveshjës së arritur për drejtësinë është një progres i mirë. Ajo tha se Serbia duhet ta njohë Kosovën për t’u anëtarësuar në BE.
Lunaçek tha se edhe implementimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) i inicuar vitin e kaluar ka një rëndësi shumë të madhe për qytetarët e vendit. Ajo shtoi se qytetarët e Kosovës të cilët kërkojnë punësim, edukim dhe shëndetësi, MSA-ja mund të ofrojë një ambient dhe perspektivë për zhvillimin e fushave në fjalë.
Gjithashtu Lunaçek tha se ndjehet keq për faktin se gjatë këtyre viteve sa ka qenë raportuese nuk është realizuar njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së duke thënë se kjo do ta kishte lehtësuar punën për të dyja palët, pra për Kosovën dhe BE-në.
Ndërkaq sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Lunaçek tha se miratimi i Marrëveshjes së Demarkacionit është kusht që të ndodhë liberalizimi dhe u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ecin përpara dhe ta ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi.
Ajo tha se është e vetëdijshme që qytetarët e Kosovës ndjehen të frustruar dhe të izoluar që nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në BE, por theksoi se tani “topin e ka Kuvendi i Kosovës” përkundër faktit se kryeministri i ri e ka emëruar një komision të ri për demarkacion.
Duke bërë të ditur situatën në BE, Lunaçek tha se ka një rritje të numrit të refugjatëve nga rajonet e konfliktit drejt shteteve të BE-së dhe se “ky është ai momenti i duhur dhe vendimtar për Kosovën, i cili duhet të shfrytëzohet sepse dera mund të mbyllet”.
“Ju bëj thirrje forcave proevropiane në Kuvend dhe kërkoj nga mazhoranca e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të arrijnë 2/3 e votave sepse koha po ecën”, tha Lunaçek.
Në vazhdim ajo tha se njohja e Kosovës nga Serbia nuk është e përkufizuar qartë në dialogun ndërmjet dy vendeve të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Šoltes tha se ka qenë në krye të Gjykatës së Auditorëve të Sllovenisë në të kaluarën. Ai theksoi se me fillimin e punës për Kosovën do t’i japë rëndësi transparencës në shpenzimet e parave publike për një sistem sa më të drejtë të financimit publik në Kosovë.
“Ne si BE jemi të obliguar që të kontrollojmë se ku shpenzohen paratë publiket e posaqërisht paratë e dërguara nga BE-ja në Kosovë dhe kjo është një gjë e mirë edhe për institucionet e Kosovës që ta mbikëqyrim dhe zhvillojmë sistemin e auditimit në Kosovë”, tha Šoltes.
Ai po ashtu tha se të rinjtë në Kosovë duhet të qëndrojnë në vendin e tyre por duhet të kenë kushte më të mira të punësimit duke theksuar se do të punojë ngushtë me grupet e interesit që të rinjtë kosovarë të jenë sa më afër zhvillimit dhe BE-së.
Šoltes në fund tha se Kosova e ka vendin brenda shteteve anëtare të BE-së.