Sefer Tahiri, analistë, gazetarë dhe njohës i mirë i rrethanave politiko shoqërore në Maqedoni ka komentuar veprimin e Bejtës pas zgjedhjeve lokale në Gostivar.
“Dorëheqja dinjitoze e Bejtës. E njoha në vitin 2002, kur erdhi në Kuvend si deputet. E njoha nga replika e ashpër që pati atë kohë me Menduh Thaçin, kur përcjellja punën e Kuvendit të Maqedonisë. Më 12 tetor, 2017, para zgjedhjeve pata shkruar: Nevzat Bejta, padyshim politikan që dallohet me qasjen e tij nga shumë përfaqësues të partisë së tij (BDI), ndërsa mbi të gjitha unë dhe kolegë e mbajmë mend për raportet korrekte, të shoqëruara me doza humori, që e bën të dallueshëm në BDI. E njohin të gjithë si “Baba”, gjithsesi mbetet një politikan jokonvencional.
Sot e dëshmoi jokonvencionalitetin e tij duke dhënë dorëheqje ! Është ndër të rrallët në BDI që e pranon kritikën”, shkruan Tahiri.
Veprimin e Bejtës e ka vlerësuar edhe Agron Vojnika.
“Urime për çlirimin e Gostivarit. Nevzat Bejta e pranoi si burrat humbjen. Madje gjeti fuqinë dhe i uroi kundër kandidatit të tij Arben Taravarit fitoren. “Kjo është demokracia” tha. Nga ana tjetër, Arben Taravari, tha se e çliroi Gostivarin dhe i “shpalli luftë” gjithë pushtetit. (mjerë gostivarasit në 4 vitet e ardhshme).
Ironia qëndron aty, sepse Bejta është viktima më e madhe e ndryshimit të pushteteve dhe po kësaj lirie që sot e gëzon Taravari dhe të gjithë banorët e Maqedonisë. Ai ishte funksionari i parë i BDI-së që u ngrit kundër koalicionit me VMRO-DPMNE-n e Gruevskit, andaj sot po përballet me ato pasoja. Nga ana tjetër, ditën e zgjedhjeve, shtabet e VMRO-së në Gostivar, që në orën 6 të mëngjesit startuan me kapacitet të plotë, edhe përkundër faktit se në Gostivar nuk kishin kandidat të tyre.
Mesa duket dega më e fortë e VMRO-së në Maqedoni ishte pikërisht në Gostivar, sepse vetëm aty fitoi kandidati që u përkrah nga ata. Urime fitoren Taravari… Urime për “çlirimin” e Gostivarit…”, shkruan Vojnika.