Prodhimtaria industriale në shtator të këtij viti, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, është rritur për 0,3 për qind, ndërsa në periudhën janar-shtator sivjet krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është zvogëluar për 0,1 për qind, publikoi sot Enti Shtetëror për Statistikë. Shikuar sipas sektorëve, prodhimtaria industriale në sektorin “minierë dhe nxjerrje të gurëve” në shtator të këtij viti në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar shënon rënie prej 2,6 për qind, ndërsa rritje prej 0,4 për qind në “industrinë e përpunimit” dhe nga 0,1 për qind në sektorin “furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim”.
Rritja në sektorin “industri e përpunimit” është rezultat, para së gjithash, i prodhimtarisë së rritur në sektorët për prodhimtari të prodhimeve të duhanit, tekstilit, të prodhimeve tjera minerale jometale, të pajisjes elektrike dhe të veglave dhe pajisjeve, të papërmendura në vend tjetër. Sipas grupeve kryesore industriale, prodhimtaria në shtator sivjet, në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar shënon rritje tek “energjia” për 3,6 për qind dhe “prodhime kapitale” për 8,1 për qind, ndërsa rënie tek “prodhimet intermediare, përveç energjisë” për 2,1 për qind, “prodhime të qëndrueshme për konsum të gjerë” për 0,1 për qind dhe “prodhime të paqëndrueshme për konsum të gjerë” për 3,2 për qind.