Disa nga kandidatët e partive në komunat me shumicë shqiptare dole për të ushtruar të drejtën e tyre qytetare, për të votuar.
Disa prej tyre u paraqitën duke thënë para kamerave le të fitojë më i miri, e disa të tjerë duke thënë se presin fitore më të madhe se në raundin e parë.
Kryetari i Komunës dhe kandidati Nevzat Bejta bashkë me familjen e tij votoi në Gostivar.
“Si qytetar i Gostivarit votova së bashku me familjen time. Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë, në mënyrë demokratike. Falënderoj për punën e tyre anëtarët e komisionit zgjedhor dhe shpresoj në një mbarëvajtje sa më të mirë të zgjedhjeve,” u shpreh Bejta.
I pyetur nga gazetarët rreth pritshmërive të tij, Bejta tha që rezultati përfundimtar beson që të jetë ende më i favorshëm se në raundin e parë, ku ai doli fitues.
Pak pas orës 12:00, votoi edhe kandidati për qytetin e Strugës, Ziadin Sela, i cili pasi doli nga vendvotimi në Livadhë të komunës së Strugës, dha mesazhin e tij për qytetarët.
“Apeloj deri tek organet kompetente që të kontrollohet procesi zgjedhor sepse ne na duhet proces i rregullt, në mënyrë që qytetarët lirshëm ta shprehin vullnetin e tyre që të vazhdojmë me projektet e ndryshimit në Strugë në mënyrë që Struga të marrë vendin e merituar krah qyteteve të zhvilluara anë e këndë”, deklaroi Sela.
Gjatë paradites, në hapsirat e Shkollës Fillore “Petar Zdravkovski-Penko”, votoi kandidati Zeqirija Ibrahimi. Kandidati nga radhët e Aleancës me Besë, si në rrethin e parë, edhe në balotazh ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.
“Erdha të kryej obligimin tim si qytetar, duke përcjell mesazhin që të gjithë qytetarët të dalin dhe të bëjnë zgjedhje e tyre, të japin votën e tyre në këtë raund të dytë”- tha Ibrahimi.
Kandidati i BDI-së për kreun e komunës së Çairit, Visar Ganiu ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës dhe ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin në votime.
“Sot është një ditë që secili qytetarë ka të drejtë të shfrytëzojë të drejtën e tij, shpresoj që edhe sot si para dy jave do të shkojë në rregull dhe në fund vendimin do e japin qytetarët, atë që do vendosin ata unë do e pranoj dhe do ndjek gjithë procesin dhe më i miri le të fitojë”, u shpreh Ganiu pasi ka votuar.
Votën dhe mesazhin e tij sot e dha edhe kandidati për kryetar në Komunën e Tetovës, Bilall Kasami.
“Urojmë që kjo ditë të jetë ditë gëzimi për të gjithë tetovarët dhe qytetarët e Maqedonisë, që nga nesër të nisë një jetë e re dhe të filloj realizimi i projekteve”, ka deklaruar Bilall Kasami nga Lëvizja Besa pasi shfrytëzoi të drejtën e votimit.
Rreth orës 11:00, në vendvotimin numër 0539 në qytetin e Dibrës, obligimin kushtetues bashkë me anetarët e familjes së tij, përmes votimit e kreu edhe kryetari i Komunës së Dibrës, njëherit edhe kandidati për kryetar komune, z. Ruzhdi Lata.
Pas votimit, kryetari Lata deklaroi para mediave deklaroi:
“Sot për dibranët është një ditë feste, një ditë ku vendoset për ardhmërinë qytetare të Dibrës së Madhe. Besoj se dibranët janë aq të kulturuar, te civilizuar, që kjo ditë të jetë e qetë, e mbarë , e mirë, me fat, me sukses për ardhmërinë e të gjithë neve. Prandaj ftoj të gjithë të marrin pjesë në votime dhe në bazë të bindjeve të tyre t’I sjellin Dibrës një ardhmëri më të mire dhe shumë të mirë.”
Poashtu edhe kandidati i Aleancës me Besë në Komunën e Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka votuar në vendbanimin e tij në fshatin Llërc. Sejdiu ka bërë thirrje deri te të gjithë votuesit, të votojnë në mënyrë të qetë, duke shprehur vullnetin e tyre për kryekomunarin e ri.
Almakos.com
Përgatiti: Evi Shkopi