Kandidati i Lëvizjes BESA për komunën e Studeniçanit, Rexhep Memedi, sot u takua me disa afaristë turq të interesuar për të investuar në fushën e tekstilit me punësimin e së paku 50 personave.
Memedi atyre ua prezantoi programin e Lëvizjes BESA për këtë komunë, e cila, sipas tij, premton shumë për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të kësaj komune, hapjen e vendeve të reja të punës, lehtësime të shumta administrative, mbështetje maksimale të të gjitha investitorëve të ardhshëm dhe pse jo themelimin e një zone të re ekonomike në Studeniçan, thotë ai.
“Kushti i parë kuptohet se është siguria e investitorëve potencialë ku çdo investitor kërkon siguri më të madhe nga menaxheri i komunës që të kenë investimin e tyre të mbrojtur dhe ne në këtë drejtim konkretisht do të garantojmë edhe siguri edhe do të japin përkrahjen tonë administrative lidhur me të gjitha parapërgatitjet për fillimin e këtij investimi dhe kushti i dytë është fuqia punëtore, e cila do të duhet të angazhohet në të ardhmen në këtë prodhimtari”,-deklaroi kandidati për kryetar komune në Studeniçan nga Lëvizja BESA, Rexhep Memedi.
Memedi në takimin me banorët e kësaj komune gjithashtu premtoi se do të bëjë kujdes me menaxhimin e parave komunale, thotë do të përmirësojë jetën e tyre të përditshme me investime konkrete në infrastrukturën rrugore, në rrjetin kanalizues, në përmirësimin e kushteve në arsimin fillor, profesionalizimin e kuadrove arsimore, ndërtimin e sallave të reja të sportit dhe me punësime në sektorin privat. Prioriteti i tij kryesor në fillim në këtë komunë do të jetë të zgjidhë njëherë e përgjithmonë çështjen e ujit nëpër gjitha amvisëritë, pastrimin e deponive të egra dhe implementimin e standardeve ekologjike në deponinë “Drislla”.
“Prioritet do të kemi në fillim rrjetin e ujësjellësit në disa nga vendbanime për shkak se në këtë komunë keni qindra amvisëri sot të cilat nuk kanë ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre. Kuptohet do t’i kushtojmë rëndësi edhe ambientit jetësor. Ju e dini se këtu e kemi deponinë më të madhe të mbeturinave “Drislla”, e cila paraqet një problem të madh ekologjik, ne do të insistojmë duke u bazuar në parimet ligjore që në këtë deponi të implementohen standardet ekologjike, me çka do të mbrohen shëndetin e popullatës sonë në këtë komunë dhe gjithashtu do të mundohemi në atë deponi të instalohet edhe një repart për riciklim të mbeturinave”,- u shpreh kandidati për kryetar komune në Studeniçan – Lëvizja BESA, Rexhep Memedi.
Në planprogramin e Lëvizjes BESA për këtë komunë gjithashtu është edhe themelimi i një klubi të ri futbollistik dhe një shoqëri kulturo- artistike, e cila do të ketë sallën dhe bibliotekën e vetë për organizimin e manifestimeve të tyre kulturore.
Rexhep Memedi premton edhe një shkollë të re fillore në fshatin Studeniçan, çerdhe të re në fshatin Batincë, si dhe asfaltimin e shumë rrugicave tjera lokale nëpër gjitha vendbanimet në komunën e Studeniçanit.
Nga Lëvizja BESA gjithashtu u zotuan se do të punojnë për të parandaluar migrimin e të rinjve nga kjo komunë jashtë vendit, kujdesje të madhe për ambientin jetësor, decentralizim të tokës shtetërore, si dhe sjellja të planit urbanistik për këtë komunë.