Në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, ka ndodhur një përleshje mes policisë dhe studentëve protestues të cilët kanë tentuar të hyjnë në ndërtesën e parlamentit, raporton Anadolu Agency (AA).
Të mbledhur me thirrjen e bërë nga grupet e majta që operojnë në universitete, studentët kanë protestuar kundër pezullimit të shpërndarjes falas të teksteve shkollore.
Studentët që u mblodhën në qendër të qytetit, nën brohoritjen e sloganeve tentuan të hynin në ndërtesën e parlamentit.
Pas sulmit të studentëve me shkopinj ndaj forcave policore që ndodheshin në ambientet e jashtme të parlamentit, policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës.
Sipas informacioneve të marra nga policia e Athinës, mësohet se askush nuk është arrestuar dhe se nuk ka patur persona të plagosur.
Studentët edhe në një protestë të ngjashme më parë tentuan të hyjnë në ndërtesën e Ministrisë së Arsimit dhe janë konfliktuar me policinë.