Përfaqësues të Agjencisë nacionale për programe arsimore evropiane dhe mobilitet sot në Universitetin Shtetëror të Tetovës i prezantuan mundësitë e programeve “Erazmus plus” dhe “Europas”. Drejtuesi i sektorit për arsim të lartë në Agjencinë nacionale Aleksandsar Bogojevski theksoi se programi “Erazmus plus” zgjat shtatë vjet nga viti 2014 deri në vitin 2020, respektivisht në vitin 2021 dhe se pas kësaj periudhe do të avancohet edhe nën emër tjetër me qëllim që të mundësohet mobilitet më i madh për studentët dhe kuadrin akademik nga universitetet.
“Nga USHT-ja çdo vit rritet numri i paraqitjeve nga ana e studentëve dhe nga ana e profesorëve për trajnime në vendet e huaja. Nga buxheti për këtë qëllim në vlerë prej mbi 14 miliardë eurove në nivel të Unionit, rreth 40 për qind janë dedikuar për arsim sipëror që duhet të mundësojë bashkëpunim evropian në fushën e arsimit dhe trajnimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendeve partnere në fushën e arsimit të lartë”, sqaroi Bogojevski. Të pranishmit në amfiteatrin e USHT-së kishin mundësi të parashtrojnë pyetje rreth mundësive për pjesëmarrje në programet “Erazmus plus” dhe “Europas”./Almakos.com