Njohësit e rrethanave politike kanë komentuar mungesën e një qasje vizionare të partive politike, në aspektin e krijimit të akademive politike. Ata thonë se për momentin partitë tona janë të përqendruara që rininë ta përdorin vetëm si mashë për ciklet zgjedhore dhe jo si një bazament për një shkollë të fortë politike, njofton Almakos.
Xhenur Iseni, gazetar, thotë se oligarkia e hekurt pamundëson formimin e shkollave politike. Sipas tij, organizimet politike në Maqedoni shihen si interes i ngushtë dhe jo si akademi apo shkollë politike.
“Disa parti politike në trojet shqiptare arritën të krijojnë profilin e tyre, por nuk arritën të shndërroheshin në shkollë politike dhe model për politikën shqiptare. Si shkollë të vetme politike mund të konsideroj LDK-në në Kosovë, flas për LDK-në e Ibrahim Rugovës. Edhe partitë politike në Shqipëri kanë krijuar akademitë e tyre politike, ku mësojnë dhe trajnohen gjeneratat e reja, por këto janë vetëm përpjekje simbolike, por prapë them se mungon një akademi e mirëfilltë politike në trojet shqiptare, pasi modelet politike ne i gjejmë tek liderët e assesi tek partitë politike. Në Maqedoni si shkollë politike mund të konsiderohet vetëm PDSH-ja e Arben Xhaferit, për këta të tjerat është mëkat nëse i fusim në kategorinë e shkollave politike”, deklaroi Iseni për Almakos.
Sipas tij, në vendin tonë mbisundon oligarkia dhe forca e muskujve që ska të bëjë fare me shkollë politike.
“Te partitë shqiptare në Maqedoni strukturat bandite pamundësojnë formimin e akademive politike, por shpresoj që partitë e reja të kenë marrë leksion dhe ti çojnë në humnerë veprimet e liderëve të partive të vjetra gjegjësisht BDI-së dhe PDSH-së, dhe të fokusohen që të kultivohet kulturë e mirëfilltë politike”, përfundoi ai.
Nga këndvështrimi i ish-zëdhënësit të PPD-së, Qenan Aliu partitë politike si të tilla nuk mund të shndërrohen në akademi apo shkolla politike, por jo vetëm tek ne, por edhe më gjërë.
“Partitë politike akoma nuk kanë shndërruar forume për shkolla politike për të kalitur të rinjtë për politik bërje dhe liderizëm. Fatkeqësisht tek ne akoma partitë tona nuk janë profilizuar si duhet, ata ndërtojnë profilin varësisht nga subjekti i bllokut kushtimisht të quajtur maqedonas”, deklaroi Aliu për Almakos.
Sipas tij vetëm tek ne ndodhë që partia e djathtë të shitet si majtë dhe kundërta, madje ajo e qendrës herë si e majtë e herë si e djathtë.
“Fatkeqësisht partitë tona synojnë të kenë në parti të gjithë popullin, neve, na mungon modeli. Partitë tona, fatkeqësisht marrim model liderët e tyre. Pra këta aktual edhe ish-liderë janë marur më shumë si model se sa partitë politike”, shtoi ai.
Sipas Aliut, shkollat politike që duhet të themelojnë dhe praktikojnë partitë duhet të zhvillojnë dhe etablojnë filozofinë e veprimit politik të partisë së tyre.
“Partitë që një herë instrumentalizojnë të rinjtë dhe banditët si në të kaluarën dhe anëtarësisnë për të dhunuar votën me mbushjen e kutive, duke praktikuar “trenin bullgar”, “unazën kineze”, e tjerë nuk mund të ndërtojnë shkolla politike” , tha Aliu.
Aliu është i mendimit se këtë punë do të mund ta bëjnë një klasë e re politike e cila, sipas tij do të luftojë korrupsionin dhe establishmentet e partive dhe do ti vlerësojë si shërbyes e jo bollument vetëm për tu shërbyer qytetari
“Ndaj mendimin se akademitë politike partiake kurdo që të funksionojnë ato do të ndikojnë për një shoqëri tjetër fare duke kontribuar në etablimin e vlerave të mirëfillta politike”, përfundoi Aliu.
Nga ana tjetër, qytetarët thonë se partitë shqiptare në nivel republikan janë shkurtë pamës, sipas atyre, ata mendjen e tyre e shfrytëzojnë vetëm për tu ulur në karrige të pushtetit.
“Formimi i akademive politike është një kauzë shumë e rëndë për njerëz që merren me politikë por realisht nëse i shohim nga një këndvështrim tjetër nuk janë politikan, ata janë njerëz të cilët nuk janë të arsimuar sa duhet dhe vijnë nga viset malore. Mendja e tyre dinë të funksionoj vetëm kur janë në pyetje paratë, 1 milion, 2 milion, se më tepër edhe nuk mund të marrin sepse janë korruptuar deri në atë shkallë që partneri i koalicionit i kërcënon se do i’a publikoj të zezat që i ka bërë”, deklaroi I. Bajrami, për Almakos.
Sipas tij, formimi i akademive politike do të filloj të ndodhë në atë moment kur do të shkoj në pension kjo klasë politike që për momentin po qeveris vendin. Qytetari nuk harron të potencon se shpresa për një akademi të tillë kishte në kohën e kryetarit legjendar të PDSH-së – Arbër Xhaferi, por me ikjen e tij sipas qytetarit ikën edhe ata pak shpresa që mbretërorinin tek qytetarët.
Mevludin Imeri
Almakos.com