Qeveria e re si duket do të vazhdojë me strategjinë e vjetër për mbrojtjen e ambientit edhe në këtë dimër, që do të thotë se tetovarët do të përballen edhe më tej me ajrin e ndotur. Edhe qytetet tjera të Maqedonisë nuk janë në ndonjë gjendje me të mirë, sa i përket ndotjes.
Edhe pse shëndeti i qytetarëve për disa vjet me rradhë është i kërcënuar nga ajri i ndotur, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor thotë se këtë dimër do të udhëhiqet nga strategjitë e miratuara në vitin 2012 dhe 2013, kundrejt problemit më të madh mjedisor.
Këto janë Programi Kombëtar për reduktimin gradual të sasive të emisioneve ndotëse për periudhën 2012-2020 dhe Planin Kombëtar për cilësinë e ambientit për periudhën 2013-2020.
“Për më tepër, si rezultat i bashkëpunimit aktiv të projektit të Ministrisë së Mjedisit me Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale, janë përgatitur planet për përmirësimin e cilësisë së ajrit për qytetin e Shkupit, Manastirit dhe Tetovës, plane këto që përcaktojnë një sërë masash për përmirësimin e cilësisë së ajrit “, thonë nga Ministria e Mjedisit.
Dimrin e kaluar qyteti i Tetovës kishte një ndotje të lartë të ajrit, edhe pse më pak se në vitet e mëparshme kur fabrika Jugohrom ishte aktive, por përsëri pritet që edhe në këtë sezon dimëror, Tetova të mos marrë frymë lirshëm, e gjitha kjo pasi që qytetarët për shkak të rrymës së shtrejtë, janë të detyruar që të ngrohen duke përdorur alternativa tjera që ndotin ambientin në masë të madhe.
Përfaqësues të Lëvizjes “Nëna dhe fëmija”, vlerësojnë se këto strategji nuk kanë treguar efikasitet dhe si të tilla edhe duhet që të zëvendësohen me të reja. Elmedina Abdullahu nga kjo lëvizje, për TetovaPress, thotë se për këto strategji duhet të diskutohet se sa janë të qëlluara në planin afatgjatë, siç është për shembull, gasifikimi, ku ende bëhen vetëm studime për mënyrën se si të implementohet (feasibility study) duke e ditur që në vendet tjera veç më kalohet në përdorimin e energjive alternative, që nënkupton se edhe po të realizohen planet afatgjate (për të cilat dyshohet) përsëri nuk do të zgjidhet asnjë problem pasi nuk jemi në hap më kohën.
“Po në këtë situatë nuk ka çka të zbulohet, strategjia e miratuar që nga 2012 nuk ka treguar ndonjë sukses të dukshëm, përveç asaj që nuk kemi përmirësim në disa raste kemi keqësim të situatës dhe dëshmi se interesi ekonomik është në pikë e parë në këtë shtet, pa llogaritur se sa ngrakohet buxheti pastaj për të sanuar dëmin që i shkaktohet shëndetit të qytetarëve, që do të thotë strategjitë bëhen sot për sot… Këtu duhet diskutura edhe sa janë të qëlluara rekomandimet afatgjate, siç është gasifikimi, ende bëhen studime për mënyrën se si të implementohet (feasibility study) duke e ditur që në vendet tjera veç më kalohet në energjive alternative, siç janë energjia e diellit dhe energjia e erës, që nënkupton se edhe po të realizohen planet afatgjate (për të cilat dyshohet) përsëri nuk do të zgjidhim asnjë problem pasi nuk jemi në hap më kohën.
Prandaj qytetarët janë të ngopur me premtime dhe rekomandime, duam hapa konkret, ashtu siç ndodhi me mbylljen e fabrikës së Jugohromit, ku ndotja u përmirsua për 60%. Kur gjendja është alarmante nevojiten masa konkrete, afatshkurte, si ndalesa për qarkullim të veturave, ndalesa e industrive të vogla dhe të mëdhaja, kuptohet ata që janë ndotës më të mëdhej, këto janë masa që merren çdo kund në vendet e zhvilluara dhe demokratike, për kësi masash as që duhet që të shpiket kush e di se çfarë strategjie e cila do të merrte kaq kohë.”, thotë për TetovaPress, përfaqësuesja e Lëvizjes “Nëna dhe fëmija”, Elmedina Abdullahu.
Në bazë të rezultateve konkrete gjegjësisht në bazë të matjeve të kualitetit të ajrit, aktivistët ekologjik vlerësojnë të dështuar qeverinë në planifikimin e masave aftagjate dhe afatshkurte. Për ta nuk është e mjaftueshme vetëm aktualizmi i çështjes, por ata presin edhe reagim konkrete dhe sa më shpejtë të jetë e mundur, pasi shëndeti i qytetarëve me të vërtetë është i rrezikuar.