Dy të dyshuarit kryesorë për hapjen e dyerve të Kuvendit të Maqedonisë më 27 prill, që më pas ishte shfrytëzuar nga protestuesit të futen në ndërtesë dhe sulmojnë fizikisht deputetët e opozitës së atëhershme, nuk janë marrë ende në pyetje përkundër paralajmërimeve. Nga Prokuroria nuk dhanë detaje, por vetëm njoftuan deputetët e VMRO-së, Kërste Mukosvski dhe Sasho Vasilevski se nuk do të merren në pyetje, njofton REL.
Ata së bashku me zyrtarët tjerë të partisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, dyshohen të kenë orkestruar dhunën në Kuvend, të ndihmuar edhe nga struktura të Policisë, të cilat nuk kishin ndërhyrë fare për të penguar pushtimin e Kuvendit nga protestuesit, të cilët i shkaktuan lëndime të rënda deputetit shqiptar Zijadin Sela, pastaj liderit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev dhe disa zyrtarëve tjerë të opozitës. Në shënjestër të sulmeve, ishin edhe gazetarët.
Ekspertët thonë se Prokuroria duhet të jetë më e shpejt në procedimin e këtij rasti. “Ata shumë më herët i kishin të dhënat dhe këtë kanë mundur ta bëjnë që në fillim. Është qesharake se si nuk kanë mundur t’i identifikojnë kur të gjithë ne i kemi parë incizimet ku duket qartë përfshirja e tyre në ngjarjet në Kuvend”, thotë avokati Zvonko Davidoviq. “Mendoj se procedura është më tepër sipërfaqësore se sa përmbajtjesore, pasi që vlerësoj se hetimet duhet të përqendrohen në rrethin komandues të MPB-së, tek personat drejtues që nuk kanë ndërmarrë masa për parandalimin e dhunës apo të atyre që kanë ndihmuar të ndodhin ngjarjet e tilla”, thekson Davidoviq.