Akuzat e partive ndaj njëra – tjetrës, për zgjedhje kriminale, veçmas ato ndaj VMRO-së dhe LSDM-së kanë qenë të zëshme, por nuk kanë munguar dhe reagimet e partive shqiptare, në arenën politike në Maqedoni.
Pavarësisht se zgjedhjet kaluan, të 15 Tetorit, në një atmosferë demokratike dhe u vlerësuan si të lira, tashmë pritet të ripërsëriten më 29 Tetor, për përzgjedhjen e kanditatëve të komunave. Zërat e Qeverisë ishin se zgjedhjet paraprake ishin më të mira të organizuar në Maqedoni. Por, organizata që monitoruan këto zgjedhje vërejtën një sërë parregullsish. Por, edhe partitë politike kanë hasur në pa korektësi, shikuar me një sy kritik ndaj kundërshtarëve të tyre. Sipas analistëve zgjedhjet në Maqedoni janë të bazuara në aspektin e retorikave të ashpra, duke adresuar akuza dhe kundërakuza ndaj konkurentëve.
Sipas analistit politik Bujar Plloshtani thotë se zgjedhjet në vendet me demokraci të zhvilluar realizohen përmes votës së lirë, ku sovrani mund ta ushtrojë të drejtën e tij të vetëvendosjes në mënyrë demokratike pa u penguar nga askush. Ku me zgjedhjet e lira argumentohen vlerat e shoqërisë, përfshirë këtu mënyrën e të kuptuarit dhe shfrytëzimit të drejtës së votës, sprova e bindjeve politike të liderëve partiakë për të respektuar të drejtën e votës dhe zgjedhjet e lira.
“Parë nga praktika e deritanishme, zgjedhjet në vendin tonë karakterizohen përmes retorikave të ashpra, duke adresuar akuza dhe kundërakuza ndaj ofertave dhe veprimeve politike në kohë retrospektive. Shpeshherë, akuzat e partive ndaj njëra-tjetrës bëhen përmes retorikës për zgjedhje kriminale, ku vjedhja dhe blerja e votës bëhet nga klane të forta që e kanë kapur pushtetin me të gjitha format, pastaj kemi retorikë për zgjedhje jo demorkatike që e drejta e votës realizohet përmes presionit të hatashëm e kështu me radhë. Është afër mendjes se këtu mungon vullneti i lirë i sovranit për t’u shprehur ndaj një opsioni dhe oferte politike, andaj dhe secila parti politike që është në pushtet mundohet të përdor presionin dhe meritat e pushtetit për të bindur dhe frikësuar qytetarët të votojnë për opcionin e tyre”, thotë Plloshtani, pë Almakos.
Ai shton se që nga koha e LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe PDSH-së institucionet e shtetit nuk kanë mundur të organizojë ende zgjedhje korrekte, fer dhe demokratike si në shtetet perëndimore, pasi këtu sistemi është i tillë, që cilido ka pushtetin mundohet ta përdorë në interesin vetjak. Andaj, dyshim i madh ekziston të kemi pasur ndonjëherë zgjedhje të lira, ku sovrani do të mund të përcaktojë prej vërteti fituesin absolut. Argument për zgjedhje jo të lira kanë treguar dhe organizatat ndërkombëtare për monitorimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve OSBE/ODHIR.
Ditë më parë Rrjeti i organizatave joqeveritare “Civil”, ka dorëzuar tek KSHZ 240 raporte për parregullsi zgjedhore, ndërsa kanë vlerësuar se të njëjtat nuk u vërejtën gjatë zgjedhjeve parlamentare. Në këto raporte dëshmohet, siç kanë thanë nga “Civil”, shkelje të heshtjes zgjedhore, presione dhe kërcënime, sjellje joligjore të bordit zgjedhor, probleme me Listën e votuesve, votim familjar dhe grupor, shkelje të fshehtësisë së votimit, tejkalim të autorizimeve, ryshfet votues dhe dhunë.
“Në 56 raste kemi veprim të paligjshëm të KSHZ-së, në 21 raste problem me Listën e votuesve, në 19 raste votimi familjar dhe në grup, në 17 raste shkelje të heshtjes zgjedhore, në 7 raste kërcënime dhe presione, 4 raste pengesa për vëzhguesit, 4 raste pengim i votimit, 4 të tjera ryshfet i votuesve, tejkalim i autorizimeve në 3 raste, në dy raste është raportuar për dhunë. Në 44 raste të kategorizuara në grupin e rasteve ‘të tjera’, bëhet fjalë për numrin dhe cilësinë e fletëvotimeve, mosfunksionimin e UV llambave, mospasja e qasjes deri në vendvotimet, vendosja e keqe e paravanëve për personat me aftësi të kufizuara, si dhe një varg problemesh tjera që janë në mënyrë të tërthortë të lidhura me performansat e këqija të administratës zgjedhore, duke e përfshirë KSHZ dhe Komisionet Komunale Zgjedhore”, janë disa nga vërejtjet e organizatës joqeveritare “Civil”.
LSDM-ja ka akuzuar VMRO-në se është kjo parti që ka organizuar zgjedhje kriminale për sa vite që ishte në pushtet. “Qytetarët e Maqedonisë pas një periudhe të gjatë patën mundësi të votojnë në mënyrë demokratike dhe fer, me dëshirë të lirë dhe pa presione. VMRO-DPMNE duhet të pranojë humbjen. Rezultatet e zgjedhjeve treguan se si duken komunat, si duket Maqedonia kur votohet lirisht dhe kur në përgjithësi kur respektohet vullneti i lirë i qytetarëve. Organizimi kriminal i zgjedhjeve dhe keqpërdorimi sistematik i institucioneve shtetërore dhe resurset për qëllimet e partisë ishin tipar i qeverisjes së Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së dhe kjo kohë mbaroi. Në vend se të kërkojnë arsyetime absurde, VMRO-DPMNE duhet që të uroj qytetarët për zgjedhje të qeta, të lira dhe fer dhe të pranon humbjen zgjedhore”, thuhet në reagimin e LSDM-së drejtuar mediave.
Ndërkaq VMRO – DPMNE nëpërmjet një kumtese për media akuzoi LSDM-në se kanë organizuar zgjedhje kriminale duke e futur në borxh shtetin dhe qytetarët. “Kjo i nevojitej LSDM-së dhe Zoran Zaevit që të zbrazë arkën shtetërore dhe të vjedhë shtetin. Ata gënjyen dhe manipuluan qytetarët dhe thyen premtimin që e dhanë para zgjedhjeve se nuk do të fusin në borxh shtetin. Qeveria e LSD-së mori borxh mbi gjysmë miliard euro. Për pesë muaj mbi gjysmë miliard euro. Kjo vërteton se Qeveria e Zoran Zaev është Qeveri e pa aftë dhe nuk mund të funksionojë pa borxhe”, thuhet në komunikatën e partisë.
Ndërsa, nga partitë shqiptare, zërin ka ngritur Aleanca për Shqiptarët. Nga kjo parti është ngritur një padi penale për shkelje të procesit zgjedhor.
Delvina Kërluku
Almakos.com