Ish kryetari i Komunës së Gostivarit, njëherë i RDK-së dhe ish deputeti i RDK-së, Rufi Osmani, por edhe akademiku Izet Zeqiri duhet t’i rikthehen politikës për arsye se janë dy njerëz të cilët janë dëshmuar në profesionin e tyre dhe se të dy do ishte mirë që t’i bashkëngjiten skenës politike për të mirën e të gjithë shoqërisë. Sipas analistëve, asnjëherë nuk është vonë dhe se skena politike shqiptare në Maqedoni vuan mungesën e Osmanit dhe Zeqirit.
Politologu, Xhenis Sulimani thotë se kurrë nuk është vonë, politikanë dhe profesorët universitar të dëshmuar duhet t’i bashkëngjiten formacioneve politike për të mirën e përgjithshme. Sipas Sulimanit, Rufi Osmani është intelektual që shumë i ka dhënë politikës.
“Karriera e tij ka pasur baticat dhe zbatica, por definitivisht i mungon skenës politike. Ai së fundmi doli me një deklaratë bombastike dhe mesazh për mposhtjen e së keqes, por i njëjti duhet edhe praktikisht të jetë aktiv në politikë. E njëjta vlen edhe për Izet Zeqirin”, tha Sulimani, për Almakos.
“Definitivisht jeta politike vuan nga mungesa e kalibrit të Zeqirit dhe Osmanit”, përfundoi Sulimani.
Arben Zeqiri, gazetar, mendon se para së gjithash dy profesorët Rufi Osmani dhe Izet Zeqiri duhet të rikthehen si pjesë e stafit mbështetës, këshillëdhënës, si në plan politik ashtu dhe në plan profesional. Sipas Zeqirit, kjo është për sa i përket angazhimit partiak.
“Nga ana tjetër ata të dy duhet të jenë bartës të institucioneve, detyrave dhe proceseve që po ashtu mbulojnë sferën në të cilën ata janë dëshmuar si shumë të suksesshëm dhe në sfera që lidhen me ta. Kontributi i dy profesorëve do të jetë i dobishëm edhe për subjektet politike por edhe për proceset që na presin si shoqëri”, deklaroi Zeqiri, për Almakos.
Kujtojmë, për herë të fundit në një paraqitje televizive Rufi Osmani tha fjalë miradie për koalicionin mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA. Nga ana tjetër së bashku me profesor Zeqirin dolën në përkrahje të kandidatit të përbashkët të Aleancës me Besë, për Komunën e Gostivarit, Dr-Arben Taravarit.
Mevludin Imeri
Almakos.com