Rikthimi i Rufi Osmanit dhe Izet Zeqirit, në skenën politike do ishte një festë për shqiptarët e Maqedonisë. Dy personalitetet e skenës politike, shquhen për luftën kundër të keqes së përgjithshme që ka dominuar dhe vazhdon po me të njëjtin avaz të mbizotëroj ndër vite tek popullata shqiptare. Qytetarët për Almakos, thonë se pikërisht pas bashkimit të Aleancës dhe BESËS, hapi i radhës duhet të jetë rikthimi i Osmanit dhe Zeqirit, pasi që janë pikërisht këta dy figura që kërkonin bashkimin e dy partive që nga cikli i parë i zgjedhjeve parlamentare.
Dëfrim Seferi, qytetar nga Gostivari, thotë se bashkimi i dy subjekteve opozitare në nivelin lokal Aleanca Shqiptare dhe Lëvizja Besa sjelli shpresë për ndryshim.
“Bashkimi që qytetarët e përjetuan me shumë emocion dhe gëzim që ofrohet çlirimi i qyteteve që janë uzurpuar nga lidershipi i subjektit qeverisës për 16 vite”, tha Seferi.
“Mendoj që liderët e dy subjekteve, Sela dhe Kasami, duhet të shtrojnë kërkesë publike në drejtim të dy intelektualëve të dëshmuar respektivisht, profesor Rufi Osmanit dhe Akademik Izet Zeqiri, për një rikthim në skenën politike. Vizioni dhe rezistenca e akademik Zeqirit, në mandatin e deputetit, duke u dëshmuar si politikan me kërkesa në të mirë të shqiptarëve, por nga ana tjetër dhe kontributi i profesor Osmanit, mendoj që ju shërben si një ikonë e rezistencës për një ardhmëri pa hipoteka dhe ideal shumë të pritur”, deklaroi Seferi për Almakos.
Ai shtoi se do të ishte nder për të gjithë nëse personalitete si Osmani dhe Zeqiri rikthehen skenës politike e të udhëheqin me proceset.
Sabahudin Imeri, ish-anëtar i kryesisë qendrore të RDK-së, ndan të njëjtin mendim sa i përket rikthimit në skenën politike të Rufi Osmanit dhe Izet Zeqirit.
“Arsyeja e parë pse duhet të kthehen është edhe vet lufta e zhvilluar nga ana e Rufi Osmanit në kryesinë qendrore të RDK-së për arritjen e këtij koalicioni që në zgjedhjet parlamentare. E që për arsye të ndryshme nuk u arrit, ata arsye i din edhe vet Osmani”-tha Imeri për Almakos.
Ai shton se pas këtij koalicioni populli shqiptar në Maqedoni ka nevojë që ata dy figura të rikthehen në politikë dhe ta ndihmojnë këtë koalicion që e kërkonin edhe vet para një viti. Imeri, shton se pikërisht këta dy figura mund ta ndihmojnë shumë popullin shqiptarë, dhe njëherë e përgjithmonë të largohet e keqja e quajtur BDI, e që sipas tij pas kësaj, shqiptarët do të frymojnë lirshëm dhe do të ndjehen qytetar të barabartë në këtë shtet.
Në paraqitjen e fundit në media, Rufi Osmani, tha fjalë miradije për koalicionin Aleanca me Besë, kurse për herë të fundit së bashku Osmani dhe Zeqiri u panë në një fotografi me kandidatin e Aleancës dhe Besës për Gostivarin, Arben Taravarin, të cilit i premtuan edhe përkrahje.
Mevludin Imeri
Almakos.com