Shoqëria dhe ekonomia janë të lodhur nga proceset e shpeshta elektorale. Me zgjedhje eventuale parlamentare, do të humbet edhe më shumë kohë për reformat e nevojshme për rimëkëmbjen e vendit dhe për integrimin e shpejtë euroatlantik., transmeton Express.
Maqedonia nuk ka kohë për shtyerje të reformave, kurse shkuarja në zgjedhje të parakohëshme do të ishte një hap krejtësisht i gabuar, thonë analistët, pasi që votimi në zgjedhjet lokale tregoi se partia në pushtetin qendror, LSDM, ka fituar mbështetje më të madhe se opozitarja VMRO-DPMNE, dhe mund të jetë, ndoshta edhe një nxitës, që vendi të shkojë në zgjedhje të sërishme parlametare, duke llogaritur përbërjen e tanishme të Kuvendit, ku LSDM-ja dhe koalicioni i saj nga blloku politik shqiptar nuk kanë edhe aq komoditet.
Edhe kryeministri Zoran Zaev, kohëve të fundit ka thënë se mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet lokale e sheh si mbështetje për punë, e jo për zgjedhje të reja. Sipas ekspertëve, kjo është një shenjë e mirë se nuk do të ketë zgjedhje, por në Maqedoni çdo gjë është e mundur, shkruan tetovapress.com.
Kështu mendon edhe gazetari dhe analisti, Urim Saliu, për të Maqedonia së pari duhet dhe me siguri që do të përballet me proceset integruese, të cilave do t’u paraprijë edhe zgjidhja e kontestit me emrin që ka Maqedonia me Greqinë, pa këtë nuk do të mund të fillohen proceset e lartëpërmendura.
“Maqedonia pas zgjedhjeve lokale do të jetë në një sprovë të madhe politike sepse do përballet me ndryshimin e emrit dhe proceset integruese që pa këtë të parën janë të pamundura. Jo sa herë që partitë gjinden ngushtë do të duhet të mendojnë për variantin e zgjedhjeve për të përfituar kohë. Kjo Qeveri e re duhet të ketë guxim në rradhë të parë .Shoqëria në Maqedoni ka nevojë për një stabilitet, për më shumë punësime, për një jetë dinjitoze dhe jo secilën stinë t’u drejtohen kutive të votimit. Në fund të fundit janë të njëjtët protagonistë të politikës që bien dhe ngriten , por nuk është se ndodhë dicka tjetër.”, thotë për TetovaPress, Urim Saliu.
Por, sipas tij, tani problem paraqitet edhe rikuperimi i raporteve në mes partnerëve të koalicionit, të cilat po duken të tensionuara pas koalicionimeve në zgjedhjet lokale, edhe pse publikisht duket se nuk do të jetë problem.
“Problemi do të jetë sa do të mund pas zgjedhjeve lokale të “riparohen ” gjërat në raport mes partnerëve të koalicionit që duken të prishura shkaku i koalicioneve nga zgjedhjet lokale.Akoma nuk dihet nëse do vazhdojë ky koalicion apo do përfshihen parti tjera. Zgjedhjet e fundit ishin një sprovë e jashtëzakonshme për partinë maqedonase më shumë sepse ata nuk ishin dhe aq të sigurtë në këtë fitore bindëse, në të kundërtën do ndodhte një situatë shumë më e rëndë. Realisht LSDM-ja tani ka fituar mbi VMRO-në dhe kjo në jë mënyrë edhe e ka trimëruar disi, por kjo nuk do të thotë se duhet kërkuar zgjedhje të reja sepse duhet vazhduar rruga e reformave, zhvillimit ekonomik, integrimi sa më i shpejtë i Maqedonisë në NATO dhe BE etj.”, përfundon për TetovaPress, analisti dhe gazetari, Urim Saliu.
Të njëjtin mendim ndan edhe analisti politik, Bujar Plloshtani, ai thotë se Maqedonia nuk ka nevojë për zgjedhjeve të reja parlamentare, edhe përkundër brishtësisë së numrave në Kuvend, për të, ka mundësi dhe udhë të cilësuar. Poashtu ai vlerëson se qeveria Zaev duhet të fillojë menjëherë me zbatimin e reformave që janë zotuar edhe para qytetarëve por edhe para faktorit ndërkombëtar, se do të përkushtohet me planin që shtetin ta ndajë nga partia, reformat në gjyqësor, kthimin e shtetit drejt integrimeve evro-atlantike dhe ekonomi stabile e të qëndrueshme.
“Pas mbarimit të zgjedhjeve lokale, realisht qeveria Zaev duhet të nis menjëherë me zbatimin e reformave gjyqësore, të zgjidh kontestin me emrin kushtetues dhe të mund të integrojë vendin në strukturat evro-atlantike. Mendoj se zgjedhjet lokale treguan se vendi është ende larg zbatimit të zgjedhjeve të lira, pasi informacionet që lëvizin në opinionin rezultuan që sovrani në një mënyrë u ndodh nën presion, duke mos mundur të shprehë të drejtën e votës sipas bindjeve vetjake. Vendi nuk ka nevojë t’i nënshtrohet zgjedhjeve të reja parlamentare, edhe përkundër brishtësisë së numrave në Kuvend, mendoj se ka mundësi dhe udhë të cilësuar, që qeveria Zaev të nisë menjëherë me zbatimin e reformave që janë zotuar edhe para qytetarëve por edhe para faktorit ndërkombëtar, se do të përkushtohet me planin që shtetin ta ndajë nga partia, reformat në gjyqësor, kthimin e shtetit drejt integrimeve evro-atlantike dhe ekonomi stabile e të qëndrueshme.”, thotë për TetovaPress, Bujar Plloshtani.
Ai më tej vazhdon zgjedhje eventuale mund të ketë nëse krijohet krizë ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, që mund të ketë plasaritje pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.
“Zgjedhje të reja parlamentare eventualisht mund të ketë nëse brenda kabinetit qeveritar krijohet vakuum apo krizë midis partnerëve qeveritar, kjo me gjasë mund të ndodhë pas mbarimit të zgjedhjeve lokalve, varësisht dhe Zaev si do luajë me koalicionin e tij në këto zgjedhje lokale me BDI-në kundrejt Aleancës për Shqiptarët. Sidoqoftë, mendoj se qeveria aktuale është stabile dhe se zbatimi i reformave do të jetë kryefjala e kësaj qeverie.”, përfundon pronocimin e tij për TetovaPress, analisti politik Bujar Plloshtani./