Koment: Almakos
Përpos tjerave, këto zgjedhjeve lokale treguan se BDI’ja i shkoi deri në fund projektit të saj, që përkushtimi ndaj shqiptarisë, si dhe politikat shqiptare, të vlerësohen vetëm nëpërmjet asaj sa ai përkushtim dhe ato politika, janë të dobishme për VMRO-DPMNE’së apo LSDM’së dhe sa ato janë në shërbim të partive maqedonase?! Kështu që sot ky projekt thuajse përmbyllet, me çka erdhëm në situatë që Spasovksi i LSDM’së, apo kryepolici i shtetit, të na tregojë se cilat parti shqiptare kanë gabuar dhe janë rreshtuar pas VMRO-DPMNE’së, duke na thënë thuajse hapur se shqiptarë të mirë janë vetëm ata që i shërbejnë partisë së tij. Pra, sa nuk na e tha atë që e dimë: se banditët partiak të BDI’së, e që deri dje ishin të mbrojturit nga ‘sashot’ policorë, sot janë gjithashtu të mbrojturit e policisë. Pra duke na thënë atë që deri dje na e thoshte Ali Ahmeti, por të kthyer mbrapshtë, e kur na bindte se patriotizmi shqiptarë, matet vetëm nëpërmjet asaj sa shqiptari i shërben Gruevskit, e me çka na tregonte cilët janë shqiptarët e pëlqyer të regjimit.
Pse erdhën shqiptarët e Maqedonisë në situatën që heronjtë e tyre politikë të jenë ‘zaevat’ e ‘gruevskat’, e jo ‘bilallat e selat’, më së miri mund ta shpjegojnë ‘më shkijet se shkijet’ e BDI’së, që këtë popull aq e përbuzën, sa atë e çuan të sillet si ‘cjapi që vetë shkon te kasapi”. Apo që na prunë në situatë që edhe Tirana e Prishtina zyrtare, të mos e kundërshtojnë gjithaq përkrahjen e konceptit ‘qytetarë’ të Zaevit, ndoshta pse e dinë se kjo është një nga mundësitë që të shpëtojmë nga kthetrat mbytëse të BDI’së.
Sidoqoftë, populli kurrë nuk gabon. Ai nuk gabon as atëherë kur sjell vendimin që të mos ia lejojë BDI’së që ajo ta ‘shet’ te partitë maqedonase, por vetë të përcaktojë cilës partie maqedonase do ia jep votën. Dhe problemi nuk qëndron këtu, por në atë që është edhe më e dhembshme: përderisa VMRO-DPMNE neve shqiptarëve na sundonte duke na lënë në duart e banditëve partiak të BDI’së, LSDM’ja donë të na sundojë duke na përçarë në shqiptarë e saj të mirë dhe ata të VMRO-DPMNE’së. Pra LSDM’ja na ofendon duke na thënë hapur se nuk ka as parti, as shqiptar, që mund të jetë ‘dikushi’, pa iu nënshtruar ose VMRO-DPMNE’së, ose LSDM’së. Andaj mbase ka ardhur koha kur ne shqiptarët duhet të dëshmojmë se më shumë se sa të tjerëve, ne jemi të vetvetes. Dhe duhet Sapsovskit t’i themi se ka shqiptarë që nuk i takojnë as VMRO-DPMNE’së, e as partisë së tij, e të cilët, si kryepolicë që është, ai duhet t’i mbroj njësoj si edhe vasalët e BDI’së, që hapur i përkrahë, e që janë të përdorshëm për cilëndo parti maqedonase./Almakos