Ashtu siç edhe pati paralajmëruar vetëm pak ditë më parë lideri i Aleancës Për Shqiptarët, Ziadin Sela, nga kjo parti është ngritur një padi penale për shkelje të procesit zgjedhor.
Padi është ngritur në Prokurorinë Themelore, në Strugë, ndaj dr. Armend Kadriu, nga Struga, Rektor në Universitetin Ndërkombëtarë të Strugës, shkruan Almakos.
“ Ekzistojnë tregues se dr. Armend Kadriu, nga Struga, Rektor në Universitetin Ndërkombëtarë të Strugës, ka kryer veprën penale-shkelje e procesit zgjedhor sepse në kundërshtim me Ligjin për zgjedhje, në procesin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit dhe këshilltarëve të komunës së Strugës, në zgjedhjet lokale të mbajtura më 15.10.2017 personalisht ka blerë vota në favor të kandidatit për kryetar dhe kandidatëve për këshilltar të Partisë politike BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim)”- tha Garip Kaba, kryetar shtabi në Strugë, nga Aleanca për Shqiptarët.
Më tej, Kaba tha se si dëshmi se nuk bëhet fjalë për shpifje, por për ngjarje e cila bazohet në fakte, Kaba tha se materialit i është bashkëngjitur edhe një CD, me incizim tonik, që përmban të dhëna se ky person ka bërë vepër penale-shkelje të procesit zgjedhor në kundërshtim me Ligjin, ndërsa veprimet tregojnë se përmbajnë elemente për kryerjen e veprës penale, të cilat janë paraparë në Ligjin Penal të RM-së.
Ndërkohë, KSHZ i refuzoi ankesat e parashtruara deri tek kjo e fundit rreth procesit zgjedhor. Një nga këto ankesa ishte e parashtruar nga Aleanca për Shqiptarët.
Almakos, kërkoi informacion nëse nga ana e kësaj partie do të paraqitet kërkesë deri në Gjykatën Administrative si ankesë kundër vendimit të KSHZ, ndërkaq kjo e fundit ka afat prej 48 orësh që t’ju përgjigjet ankesave të partive politike.
“ Jemi informuar për vendimin e KSHZ që të hedh poshtë ankesat e parashtruara deri tek kjo e fundit në lidhje me procesin zgjedhor, të zgjedhjeve lokale të mbajtura me datq 15 tetor. Aleanca për Shqiptarët nuk do të ankohet në Gjykatën Administrative rreth këtij vendimi”- tha për Almakos, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH.
Në Gjykatën Administrative nuk planifikojnë të ankohen as nga “ E majta”.
Ndryshe nga dy partitë e më sipërme, nga VMRO-DPMNE , parti e cila kishte numrin më të madh të ankesave të parashtruara, do të ankohet në Gjykatën Administrative, rreth vendimit të KSHZ, siç thanë, për të vërtetuar se rrethi I parë i zgjedhjeve lokale është zhvilluar me shumë parregullsi.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com