Bashkimi Demokratik për Integrim, në pushtet erdhi pas konfliktit 2001, pjesëmarrës në të cilin ishte edhe lideri i kësaj partie dhe njashtu edhe shumë të tjerë nga kryesia qendrore.
Sot, janë po ata deputetët dhe lideri i “Partisë luftëtare” që po u japin mëditje nga buxheti i shtetit të cilin e udhëheqin, personave të akuzuar për krime lufte kundër shqiptarëve, në konfliktin ku Ahmeti me shokë ishin “Komando”.
Ish-pjesëmarrësit në këtë konflikt, thonë se një veprim i tillë nga qeverisja VMRO-DBI nuk është bërë edhe për shqiptarët, njofton Almakos.
Besim Hoda, thotë se veprime të ngjashme ka pasur në vazhdimësi gjatë qeverisjes së këtij koalicioni. Ndërsa, më i dhimbshi sipas tij, ka qenë ndarja e mjeteve nga Qeveria, pjesë e së cilës ishte edhe BDI, për të bërë pagesën e klauzolës për lëshimin e Tarçullovskit.
“Nuk na çudit fare, për shkak se veprimet e tilla kanë qenë vazhdë gjatë sundimit real që ka bë VRMO-ja dhe vasaliteti që ka pasur BDI-ja ndaj tyre dhe gjithë strukturat konkrete shqiptare të cilat kanë qenë pjesëmarrës në pushtet. Ende më e dhimbshme ka qenë koha kur po ajo Qeveri e Nikolla Gruevskit, ku pjesëmarrëse ishte edhe BDI-ja, ndau 200 mijë euro, me të cilën bënë pagesën e klauzolës për lëshimin e Tarçullovskit. E gjithë kjo tregon se shumë shpesh ka ndodhur që me dorën tonë, përkatësisht dorën e zgjatur nëpërmjet politikanëve tanë ne kemi goditur qoftë individ qoftë popullin në përgjithësi”, ka deklaruar Hoda.
Hoda, më tej shton se fenomene të tilla devijuese janë nënçmuese për popullin në përgjithësi dhe familjet e dëshmorëve në veçanti.
“Kjo kushton shumë për UÇK-në, për një organizim ushtarako-politik, siç ishte UÇK në 2001, ku shqiptarët për herë të parë ndoshta, qoftë para luftës, qoftë pas luftës, fituan dhe u bashkuan duke fituar një strukturë tjetër dhe zhbërja e këtij fenomeni, do të thotë nënçmimi i këtij fenomeni, veçanërisht duke u thirrur edhe në vlerat e luftës të strukturave politike, është shumë e dhimbshme, shumë nënçmuese për ta dhe shumë e dhimbshme për shqiptarët në përgjithësi”, tha Hoda.
Se rasti i Tarçullovskit nuk është ndoshta i vetmi e thekson edhe Xhezair Shaqiri, i njohur ndryshe si Komandant Hoxha. Sipas tij, fajtor për këtë gjë janë të gjithë partitë shqiptare.
“Partitë shqiptare, nuk kanë pasur kohë të kujdesen për 5 fëmijët e mijë, sepse kanë qenë të zënë duke e ndihmuar Johan Tarçullovskit”, tha Hoxha.
Ai ka lëshuar një akuzë ku thotë se të gjithë partitë me votuesit e tyre i kanë thënë VMRO-së bëni çka te doni me këtë komandant Hoxhën se nuk po na duhet, nëse doni burgoseni, nëse doni vriteni, mbajeni maleve, se nuk po na intereson as për 5 fëmijët e tij se si ja kalojnë.
“Këtë akuzë e bëj jo vetëm për BDI-në, por për të gjithë ata të cilët kanë qenë me BDI-në apo e kanë votuar, e sot kanë ndryshuar anë, besojnë se do i ikin hakut që kanë votuar të keqen tonë e po të filloj të mallkoj kushedi sa duar do thahen e paralizohen ”,ka shkruar Hoxha.
Për fund Hoxha ka thënë se të gjithë partitë janë të njëjta dhe dallimin e vetëm e kanë tek financuesit.
Për analistin Qenan Aliu, është absurditet fakti që qeveria ndanë para nga buxheti i saj për një njeri të gjykuar nga gjykata ndërkombëtare për krime lufte.
“Na gjeni një qeveri që nga buxheti i taksapagueseve të qytetarëve me aktvendim , nga nën zëri i rezervave në emër të një të dënuari nga Gjykata ndërkombëtare për krime lufte, për familjen e tij, i ndanë mjete financiare nga 5.000 Euro për çdo muaj tetë vite në vazhdimësi? Kuptohet çdo qytetari po edhe familjes të të dënuarit i takon çdo e drejtë në pajtim me ligjet pozitive duke plotësuar kriteret ligjore si për shembull ndihmë sociale, përkujdesje e të tjerë. Është çështje që fare nuk duhet të diskutohet sepse , kjo është absurditet i llojit të vetë”- ka shkruar Aliu.
Kujtojmë, ditën e djeshme është publikuar një dokument i nënshkruar nga ish- zv/kryeministri i Qeverisë VMRO-BDI, ku thuhej se familjes së Johan Tarçullovskit do ti ndahej ndihmë financiare në vlerë prej 5.000 eurove.
Ndërkaq, pas publikimit të këtij lajmi në media, ka reaguar edhe bashkëshortja e Johan Tarçullovskit, Sonja Tarçullovska. Nëpërmjet rrjetit social Facebook, ajo ka theksuar se jo një vit, por 8 vjet me radhë Qeveria VMRO-BDI i ka dhënë këtë shumë mujore, që sipas llogarive rezulton se kap shifrën totale prek 480 mijë euro..
JohanTarçullovski, është ish-luftëtar i forcave të armatosura maqedonase, i cili nga Gjykata e Hagës u dënua me disa vite burg nën akuzën vrasje të civilëve shqiptar në konfliktin e vitit 2001.
Mevludin Imeri
Almakos.com