Aleksandar Mihajllovski, një nga përfaqësuesit e nismës brendapartiake për reforma në VMRO-DPMNE, në një intervistë për Almakos, tha se parimet mbi të cilat ishte themeluar VMRO kishin si synim mundësimin e lirisë dhe të drejtave të qytetarëve, pika në të cilat takoheshin interesat e kësaj partie dhe të shqiptarëve, shkruan Almakos.
Megjithatë, siç thotë Mihajllovski, pas vitit 2011 VMRO, nuk u përmbahej më këtyre parimeve për shkak të inkuadrimit të klientalistëve të qeverisë në strukturat e saj.
“U instaluan kuadro që nuk kanë afërsi me ideologjinë e VMRO-DPMNE-së dhe punuan larg këtyre parimeve. Parimet mbi të cilat u themelua kjo parti që kishin synim sigurimin e lirisë dhe të drejtave të qytetarëve, ishin pikë takimi me interesat që kishin edhe shqiptarët”- tha Mihajllovski.
Shqiptarët, siç thotë ai, janë përdorur si mekanizëm votues gjatë proceseve zgjedhore, nga politikanët e të dyja palëve, nga të njëjtët politikanë të cilat kanë përdorur raportet ndër etnikë për fitim të pikëve politike.
“Nuk duhet populli shqiptarë të jetë në funksion të zgjedhjeve vetëm si makineri votimi. Duhet të ndryshojmë mendësinë, sjelljen, fjalorin, duhet të pranojmë se thithim të njëjtin ajër dhe se jemi vëllezër. VMRO si parti konservatore është shumë më e afërt më shqiptarët se LSDM-ja”- tha Aleksandar Mihajllovski.
Mihajllovski, tha bindshëm se pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve lokale më reformat që do të bëhen në VMRO, do të zbatohen politika të tjera, të ndryshme dhe shumë më të suksesshme se sa që ishin deri më tani, e se për këtë kanë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ai la të kuptohet së rrëzimi i Gruevskit nga “ froni” i VMRO-së, është një fakt i pakundërshtueshëm në një të ardhme të afërt.
Sa i përket deklaratës së mësipërme të tij se deri në vitin 2011 VMRO kishte parime të cilat ishin pikëlidhëse me interesat që kishin edhe shqiptarët dhe të cilat u zhdukën pas vitit 2011, lë të kuptohet se pas këtij viti kjo parti nuk ka zbatuar politika me interes për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
Megjithatë ndryshe ka thënë në vitin 2011 kryetari I BDI-së Ali Ahmeti, pas formimit të koalicionit më VMRO pas zgjedhjeve parlamentare, në një intervistë në Alsat M, përball Muhamed Zekirit.
“Nuk është qeveri që duhet përkushtimin ta bëjë vetëm tek një etnitet ose zgjidhet një ministër nga komuniteti maqedonas dhe atij duhet t’i interesojë vetëm trajtimi i bashkëqytetarëve të tij maqedonas dhe t’i anashkalojë shqiptarët. Ata që zgjidhen kanë përgjegjësi për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Ministrat e BDI-së kanë përgjegjësi edhe për maqedonasit dhe anasjelltas”- ka thënë Ahmeti, në vitin 2011 në një video që ka mundur të sigurojë Almakos.
Në këtë intervistë, Ahmeti, përmend projekte madhore, siç I quan ai, që kanë hyrë në programin e Qeverisë, siç është “Korridori 8”, projekt i cili në vitin 2017 ende nuk është realizuar.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com