Zgjedhjet lokale, të cilat u mbajtën pothuajse një vit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kryesisht janë realizuar në atmosferë të qetë dhe pa incidente të mëdha, shkruan Almakos.
Megjithatë nga gjithsej 3480 vendvotime, 16 prej tyre janë vërejtur parregullsi si: fotografim i fletës së votimit, persona të cilët kanë tentuar të blejnë vota, votim kolektiv, probleme teknike, por jo vetëm.
Më konkretisht, në Strugë si dhe në vendvotimin 2576/1 në Shkollën Fillore “Gjorçe Petrov” janë vërejtur qytetarë duke fotografuar fletën e votimit.
Një rast i ngjashëm u cek sot edhe nga Lëvizja Qytetare “MOST”.
“Në Çair, një qytetar është kapur duke fotografuar fletën e tij të votimi, veprim i cili është vërejtur nga komisionari, i cili fletën e votimit e ka shpallur të pavlefshme.
Një tjetër parregullsi ndodhi në fshatin Greshnicë të Kërçovës , ku një aktivist partiak me edhe dy-tre persona të tjerë, kanë bërë agjitim para vendvotimeve, respektivisht para derës së klasave ku është zhvilluar votimi.
Në Vinicë të paktën dhjetë persona, pasi që kanë votuar, janë afruar para kutive dhe i kanë hapur fletët duke pyetur se në cilën kuti duhet vendosur fletat, dhe me këtë gjest kanë shpalosur qartë opsionin që e kanë votuar dhe këto fletë janë shpallur si të pavlefshme.
Në Shuto Orizarë janë ndarë gjësende ushqimore nga parti të ndryshme politike në këmbim për votë. Në mënyrë shtesë, janë ngjitur edhe pllakate propagandistike në afërsi të vendeve të votimit. Në vendvotimin 2639 në komunën e Karposhit, një votuesi i janë dhënë dy fletë pas çka votuesi ka reaguar dhe votimi është ndërprerë për 20 minuta. KZ-ja ka bërë procesverbal, votuesit i është dhënë fletë e përshtatshme, pas çka votimi ka vazhduar.”- tha Darko Aleksov nga kjo organizatë.
Parregullsi janë vërejtur edhe nga organizata joqeveritare ‘Civil’.
“Organizata Joqeveritare “Civil” ka vërejtur një sërë parregullsish gjatë votimit të sotëm. Është regjistruar transport masiv i votuesve në Manastir si dhe probleme me Listën Zgjedhore. dhjetëra qytetarë nga Kërçova nuk e kanë gjetur veten në Listën Zgjedhore, ndërsa në Likovë ka pasur votim grupor. Një tjetër parregullsi është hasur gjatë votimeve në fshatin Creshevë, komuna e Gazi Babës, ku në objekt të njëjtë me hyrje të veçanta ndodhen vendvotimi 2549 dhe shtabi i një partie politike. Pra, para se votuesit të hynë për të votuar, aktivistët partiak me zë të lartë i thirrin që në fillim të hynë në shtabin partiak, ndërsa më pas të realizojnë të drejtën e votës”- theksohet nga “ CIVIL”.
Ndërkohë, gjatë mëngjesit të sotëm në disa vendvotime është janë vërejtur disa probleme teknike, si mungesa e baterive për llambat UV, kualitet jo i njëjtë i fletëve te votimit,vendosje jo e duhur e kabinave te votimit për personat me aftësi të kufizuara, grisje e gabuar e fletëve të votimit e të tjerë.
Megjithatë, janë regjistruar edhe disa sulme fizike. Një i tillë ka ndodhur në vendvotimin me numër 2052 në Sedllarcë, ku është sulmuar anëtari i këshillit zgjedhor në këtë vendvotim.
Gjithashtu një tjetër sulm fizik ka ndodhur edhe në shkollën “”Petar Zdravkovski-Penko”, sulm për të cilin MBP tha zyrtarisht se nuk ishte I lidhur me procesin zgjedhor. Të dy personat janë paditur dhe duhet të paguajnë çdonjëri gjobë prej 30 mijë denarësh.
Aktive ka qenë edhe MPB, nga e cila ka pasur disa konferenca për shtyp. Deri në orën 14:00, në këtë ministri janë paraqitur gjithsej 26 parregullsi zgjedhore.
“ Janë paraqitur raste të shit-blerjes së votës, fotografim të fletës së votimit, transportimi i votuesve në vendvotim si dhe votim për dikë tjetër. Teksa po bëhen kontrolle në terren, në Koçani policia ka kapur një person që ka tentuar të korruptojë votues dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal. Në Kavadar një person është arrestuar , sepse ka votuar në emër të bashkëshortes së tij dhe punohet për ndriçim të rastit. ””- tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.
Ndryshe, zgjedhjet lokale në Maqedoni i ndoqën plot 5.011 vëzhgues vendorë dhe të huaj, si dhe gjashtë gazetarë të huaj, të akredituar nga KSHZ-ja. Prej tyre me numër më të madh vendor ka MOST-i me 2.843 pastaj Shoqata e qytetarëve ZIHA “Sinergia” 1.829, Civil 191, Instituti për strategji ekonomike dhe marrëdhënie ndërkombëtare Ohër – Shkup 125, Qendra për mirëkuptim dhe bashkëpunim institucional Shkup – CRIS Shkup 17 dhe Qendra e Maqedonisë për kulturë dhe zhvillim gjashtë vëzhgues.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com