Qytetarët, dhe njohësit e rrethanave politike ndajnë pothuajse mendim të njëjtë sa i përket votimit të individëve të rikandiduar për kryetarë komune edhe përkundrejt faktit se të njejtët në mandatin e parë mund të thuhet pa hezitim se kanë dështuar në zgjidhjen e problemeve që tangojnë shoqërinë, shkruan Almakos.
Sipas analistëve, nëse në Maqedoni do të kishim demokraci të shëndoshë,rikandidimi i tyre nuk do të vinte në shprehje, por për fat të keq jetojmë në një shtet ku pushtetet lokale kryekomunarët i kanë shndërruar në “pashallëqe”, shkruan Almakos.
Sipas njohësit të rrethanave politike, Abdylvehab Ejupit, kaosi dhe histeria institucionale, shoqërore e infrastrukturore që po kalon Maqedonia përgjithësisht është çështje dhe prodhim origjinal vendorë.
“Kjo gjendje është produkt dhe rezultat më se i pritur duke pasuar parasysh se gjatë gjithë këtyre viteve kemi prodhuar dhe ushqyer “elitë” politike injorante, të korruptuar e të inkriminuar, të cilët gjithë këto vite në pushtet kemi lejuar të na udhëheqin dhe të (keq) vendosin për ne dhe asnjëherë nuk kemi kërkuar përgjegjësi. Për më tepër, askush deri më tani nga udhëheqësia aktuale e komunave shqiptare në Maqedoni (të paktën 15 vitet e fundit) nuk ka marrë përsipër asnjë përgjegjësi për mosveprim dhe keqpërdorim sistematik, dhe askush nuk është gjykuar e dënuar për dështimin katastrofal në të gjitha sferat e veprimit të jetës shoqërore e infrastrukturore te shqiptarët në Maqedoni, bile po të njëjtit pa u skuqur fare vazhdojnë ende të ri-kërkojnë mbështetjen e popullit për zgjatje të mandateve udhëheqëse”, deklaroi Ejupi për Almakos.
Sipas Ejupit, populli-sovrani, ditën e diel, ditën e votimit dhe shprehjes konkrete të fuqisë sovrane të tij, duhet t’u tregojë vendin të tillëve duke i dënuar me vote dhe duhen ngarkuar me përgjegjësi ata me përgatitjen e nevojshme dhe me vullnetin për punë.
Gazetari Naser Pajaziti, thotë se të rikandiduarit që nuk kanë realizuar premtimet e dhëna më parë, në rast se do të ishim në një shtet me demokraci të shëndoshë, as që do të vinin në shprehje për tu rikandiduar.
“Fatkeqësisht jemi në një shtet me demokraci të brishtë, me sistem shtetëror dhe institucione të jo të lira”, thaPajaziti, përAlmakos.
Sa i përket votës, Pajaziti thotë se qytetarët duhet të dënojnë ata kandidatë që nuk kanë përmbushur premtimet dhe zotimet e tyre të dhëna në zgjedhjet e kaluara.
“Realiteti jonë është ndryshe, sepse në shumë raste të rikandiduarit kanë strategjinë e tyre duke vënë në funksion armatën e tyre të votuesve, një praktikë e aplikuar deri tani, por që fatkeqësisht edhe kjo po vjen duke u tkurrur” shtoi ai.
Nga ana tjetër një qytetari Tetovës thotë se, Tetovën e tangojnë shumë probleme, por problemi kryesorë sipas tij është uji i pijshëm, infrastruktura e shkatërruar, ajri i ndotur dhe mbeturina në çdo kënd të qytetit.
“Kryetarja për 4 vite nuk ka punuar asgjë për qytetarët, ajo punoj vetëm për veten e vet dhe u pasurua në kurriz të popullit. Nuk ia vlen të votohet e njëjta, sepse Tetova ka nevojë për ndryshim dhe se qytetarët duhet të votojnë për ndryshimin, për përmirësimin e kushteve elementare për jetë”, deklaroi Memishi.
Për fund Memishi ka një porosi për Tetovarët duke thënë se ata duhet të votojnë për të larguar njëherë e përgjithmonë ata që shkatërruan qytetin e Tetovës.
Dëfrim Seferit, nga Gostivari është i mendimit se qytetarët në Gostivar janë orientuar për ndryshim,i njëjti mendon se fituesi i zgjedhjeve të vitit 2005-2009 dhe 2013-2017, me premtimet e parealizuara pretendon të fitojë edhe këtë mandat.
“Këto janë disa pika ku kryetari ka dëshmuar që nuk e do ndryshimin.
1. Fusha e sportit në fshatin Tërnovë është në kushte mesjetare,
2. Shkolla fillore “Goce Dellçev” është me çati te parregulluar dhe objekti është totalisht i prishur,
3. Infrastrukture te degraduar,
4. Arsim jocilësor dhe i politizuar,
5. Krijimi i vendeve të reja të punës vetëm për ato që kanë libreza partiake”, deklaroi Seferi.
Ai shton se kjo gjendje ka rezultuar me ikjen masive të të rinjve. Sipas tij, ende nuk është kryer asnjë plan strategjik për ikjen masive dhe boshatisjen e qytetit.
“Qyteti tash është boshatisur për hir të së vërtetës dyert hapen shumë me vonë dhe mbyllen shumë më herët. Varfëria e skajshme mbizotëron në çdo te dytën shtëpie dhe pse familjet brenda posedojnë njohjet profesioneve për dobi prurje. Shkalla e lypsareve po arrin kulmin dhe nuk krijohet asnjë vend strehim me te cilën e kishin premtuar. Gostivari ka nevojë për personalitete që janë në shërbim të qytetarit dhe ka nevojë për një udhëheqës administrate që menaxhon me përpikëri detyrat dhe përgjegjësitë që pranohen të zbatohen me kujdes”,shtoi Seferi.
Përfund ai tha se ka një apel, kërkesë për të gjithë banorët e Gostivarit që të njëjtit të votojnë me mendje dhe jo me zemër. Duke shtuar se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm dhe votën nuk duhet ta shesin, sepse duke shitur votë e shesin dinjitetin e vet.
Kujtojmë, të dielën me 15 tetor mbahen zgjedhjet lokale, fushata zgjedhore përfundon sot në orët e vona të mesnatës, kurse gjatë ditës së nesërme do të jemi në heshtje parazgjedhore.
/Almakos.com/
Përgatit: Mevludin Imeri