Prokuroria Publike ka nisur me rikonstruktimin e hetimeve të 27 prillit të përgjakshëm në Kuvend. Prokurorë nga Departamenti për krim të organizuar dhe korrupsion kanë nisur me analizimin e incizimeve nga kamerat e sigurisë në Kuvend, lëvizjet e të dyshuarve dhe veprimet. Burime të Alsat M brenda organit të akuzës shpjegojnë se pista e hetimit do të nisë që nga hapja e dyerve të Kuvendit nga deputetët e VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski, orientimi i turmës së dhunshme deri tek salla e konferencave për shtyp, veprimet e turmës brenda Kuvendit, tentativat për vrasje e deri tek pengesa ndaj personave të autorizuar në kryerjen e detyrave zyrtare.
Ekspertët vlerësojnë se rikonstruktimi i lëndës së 27 prillin nënkupton vërtetimin e faktit se asnjë person i pa autorizuar nuk mund të futet në Kuvend dhe aq më pak në mënyrë të dhunshme. Për hetimet e 27 prillit deri më tani është dënuar vetëm sulmuesi i ministres së Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska, Panço Angellov të cilit di të më parë Gjykata e shkallës së parë i caktoi masën e dënimit prej 4 viteve nën akuzën për dhunë. Të dyshuarit tjerë u falën nga Gjykata Themelore Shkupi 1. Ndërkohë në paraburgim janë Igor Jug si i dyshuar për udhëheqje të turmës që kryen vepër penale dhe armëmbajtje pa leje, si dhe babë e birë sulmues të deputetit Zijadin Sela nën akuzën tentim për vrasje.
Javë më parë në bisedë informative u thirr edhe truproja e ish drejtorit të DSK-së Sasho Mihajllkov, Alen Zekirov, ndërkaq biri i Mihajllkov, Jordan Mihajllkov nuk iu përgjigj ftesës së policisë. Gati gjashtë muaj nga zhvillimet e përgjakshme në Kuvend, akoma nuk janë thirrur për përgjegjësi deputetët e VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski si të dyshuar për hapjen e dyerve të Kuvendit, dyshime këto që vërtetohen edhe nga kamerat e sigurisë.
Adrian Kerimi/ Alsat M