Në këtë fushatë parazgjedhore, krahasuar me atë të zgjedhjeve parlamentar të dhjetorit të kaluar, mediat kanë bërë raportim më të balancuar.
Që nga shpallja e datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, nga AMVU është ngritur procedurë për kundërvajtje për mosbalancim, kundër TV Alfa, si dhe procedura për moszbatim teknik të ligjit në përputhje me Kodin Zgjedhor, ndaj “ Star” dhe kompanisë TV21M. Në zgjedhjet e kaluara ky numër i shkeljeve arrinte në 67, shkruan Almakos.
Drejtori i AVMU-së, Zoran Trajçevski, tha se kjo mënyrë raportimi e balancuar duhet bërë gjatë tërë kohës dhe jo vetëm para zgjedhjeve.
“ Kemi përmirësim drastik në raportimin e mediave gjatë kësaj fushate. Ne kemi ligj, i cili respektohet nga AVMU, që në periudhë prej 48 orësh të ngrihet procedurë për thyerje të ligjit nga mediat. Qëllimi i këtyre afateve të shkurtra është që dënimi të jap efekt, fatkeqësisht deri në këto zgjedhje, pushteti gjyqësore nuk ka vepruar asnjëherë në afat prej 48 orësh”- tha drejtori I AVMU, Zoran Trajevski.
Përmirësim ka edhe sa i përket zvogëlimit të rasteve ku ndaj gazetarëve ushtrohet dhunë fizike.
Sipas kryetarit të SHGM-së, Naser Selmani, janë gjithsej 54 raste të dhunës ndaj gazetarëve të regjistruara gjatë viteve të fundit dhe asnjë i ndjekur deri në fund nga institucionet relevante.
“ Sa i përket dhunës ndaj gazetarëve krahasuar më 100 ditshin para zgjedhjeve të dhjetorit, ka rënie. Në këtë fushatë parazgjedhore nuk ka dhunë fizike ndaj gazetarëve, por për këtë, rol ka luajtur shumë edhe efikasiteti më i larte i policisë. Për herë të parë tani kemi pranuar raport nga policia për sulmet fizikë ndaj gazetarëve. Vështirësi është hasur në komunikimin me Gjykatën dhe Prokurorinë. Në Maqedoni nuk kuptohet, aq sa duhet, niveli i lartë i seriozitetit të kësaj çështje. Një hap shumë pozitiv është vendimi që Qeveria mori për të ndërprerë marketingun e paguar politik, pasi që kjo preu lidhjen korruptuese politikë-media”- tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.
Megjithatë ende shqetësuese mbetet gjuha e urrejtjes. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose jo, është vërejtur përdorimi i gjuhës së urrejtjes, posaçërisht tek mediat online.
Xhabir Deralla, nga “CIVIL”, tha se kjo mënyrë informimi përmes gjuhës së urrejtjes është fatale për shoqërinë.
“Mediat elektronike që kanë më shumë ndikim në shoqëri i citojnë ato portale, në të cilat keni me të vërtetë edhe mbeturina të rënda edhe shumë gjuhë të urrejtjes, gënjeshtra, shpifje dhe dezinformata, dhe kjo mandej ka efekt fatal në shoqëri. Në vend se të informohen, njerëzit kontaminohen me urrejtje. Në kushte të kësaj periudhe parazgjedhore kjo vërehet në masë shumë të madhe –”- u shpreh Xhabir Deralla, “CIVIL”.
Këto të dhëna u shpalosën në debatin e sotëm të organizuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ( SHGM) dhe organizatës qytetare “OnLimit Media”, me temë “ Raportimi I mediave gjatë fushatës parazgjedhore”.
/Almakos.com/
Përgatiti: Evi Shkopi