Ambientalistët kërkuan që të mbyllet Kombinati i Jugohromit, ndërsa punëtorët kanë protestuar për të mos u ndërpre puna e tyre, ku edhe fitojnë të ardhura. Pas një lufte të gjatë, por edhe protesta masive, u dha vendimi që të mbyllet ky kombinat, për të shpëtuar banorët nga tymi, që ndot ajrin në ato anë. Pas vendimit të qeverisë, për mbylljen e kombinatit u ndërprenë protestat e ambientalistëve, por vazhduan të njejtët për deponinë e Tetovës, e cili mbetet edhe sot çështje e pazgjidhur. Me ardhjen e qeverisë së re, pas 100 ditëshin e udhëheqjes, kryeministri i vendit, Zoran Zaev, merr vendim për të nënshkruar një dokumet për rifillimin e punës të Jugohromit. Por, për këtë sipërmarrje të kryeministrit kanë reaguar organizata të ndryshme si nga organizata Eco Guerilla, Lëvizja “Nëna dhe fëmija”, por edhe zëvendës ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, njofton Almakos.
Sipas organizatës Eco Guerilla, marrveshja e ndërmarrë nga krerët e vendit duhet të tregohet dhe të dalin të gjitha detajet në shesh, ku nga kjo organizatë kërkojnë që të përfshihen edhe përfaqësuesit e tyre, ekspert, për monitorimin e punës dhe cilësisë së filtrave që parashikohen të vendosen. Dhe se ata janë kundër çdo fillimi të procesit të punës, pa filtra cilësore, ku e mbrojnë shëndetin e individit, në të kundërtën, çdo vendim i marrë, i pa bazë në standardet ekologjike, kundërshton normat dhe ligjin.
“Informatat tona thonë që të enjten qeveria dhe Jugohrom do nënshkruajnë një kontratë sipas të cilës Jugohrom menjëherë do fillojë me vendosjen e filtrave, por që në mars ose prill 2018 të fillojnë dhe me punë, me një kapacitet më të vogël.
Ne do kërkojmë nga qeveria të zbardhen të gjitha detajet e marrëveshjes, afatet kohore, kuotat që duhen arritur si dhe shuma e deponuar nga investitori tek kontraktori. Do kërkojmë që përmes ekspertëve tanë të përfshihemi në procesin e monitorimit, për t’u siguruar për cilësinë e filtrave dhe për të kontrolluar plotësimin e normave në afate të parapara.
Nga ana tjetër, qëndrimi i Eco Guerillës tashmë i njohur botërisht është që Jugohrom nuk guxon të punojë pa filtra, as 10% as 10 minuta, sepse një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet, aktet nënligjore, kushtetutën, por për më tepër rrezikon jetën dhe shëndetin e tetovarëve, prandaj vlerësojmë se premtimet e kryeministrit Zaev, që Jugohrom të hapet në mars ose prill 2018 janë propagandë parazgjedhore, dhe provokim i rrezikshëm për Tetovarët. Pa plotësimin e të gjitha standardeve ekologjike Jugohrom nuk guxon të ristartojë procesin e prodhimit. Asgjë tjetër mbi shëndetin e qytetarëve”, tha Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla, për Almakos.
Nga Lëvizja “Nëna dhe fëmija” përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Zoran Zaev dhe pjesëtarëve të qeverisë, kundërshtojnë ashpër marrëveshjen e paralajmëruar që pritet të nënshkruhet, me të cilën parashihet që në tremujorin e vitit të ardhshëm fabrika Jugohrom të fillojë me punë.
“Ne e dijmë mirë që periudha e nevojshme për instalim te filtrave ekologjik ne fabrikën Jugohrom do të duhet të zgjasë 2 vite të plota, andaj rinisja me punë e fabrikës Jugohrom e paralajmëruar të bëhet për mars ose prill 2018, do të bëhej pa instalim të filtrave, gjë që ne si lëvizje nuk do të lejojme”, thuhet në reagimin e lëvizjes.
Ata shtojnë se çdo marrëveshje mes fabrikës Jugohrom, si dhe Qeverisë së Maqedonisë pa instalim të filtrave kuptohet si minim direkt i premtimeve të kryeministrit Zoran Zaev, dhe partive të koalicionit, ministrave të kësaj qeverie, ndaj qytetarëve se qeveria e re do të angazhohet rreth ambientit jetësorë dhe për një Maqedoni më të pastër, duke siguruar ambient dhe ajër të pastër për gjithë qytetarët e Maqedonisë.
“Nësë kjo marrëveshje nënshkruhet dhe Jugohromit i mundësohet fillimi me punë në muajt Mars ose Prill të vitit të ardhshëm, ndërsa ne besojmë që instalimi i filtrave nuk është i mundur për këtë afat kohorë, vlerësojmë se nuk ka asnjë lloj dallimi ndërmjet kësaj dhe qeverisë së kaluar, prandaj do të aktivizojmë çdo metodë protestimi duke përfshirë edhe protestat para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë”, thuhet më tej në letrën e lëvizjes.
Sipas zëvendësministrit të Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, Kombinati Jugohrom mund të rifillojë në faza dhe vetëm pas përmbushjes së standardeve ekologjike dhe pas vendosjes së filtrave.
“Jugohromi u mbyll për shkak të asaj që ka thënë edhe kryeministri Zoran Zaev, menaxhmenti i kombinatit ishte viktimë e presionit dhe kërcënimeve nga pushteti i kaluar”, thotë Makraduli.
Ai potencon se do të mbeten të përkushtuar që jo vetëm Jugohromi dhe edhe kapacitetet tjera industriale, të përmbushin detyrimet e tyre në pajtim me ligjet në Maqedoni.
Delvina Kërluku
Almakos.com