Ndër vite qytetarët kanë dëgjuar të njëjtat premtime, por ndoshta të renditura ndryshe. Një fakt i tillë ka bërë që elektorati t’i shohin me skepticizëm premtimet e kandidatëve për kryetarë komune.
Sipas tyre ndër vite kanë dëgjuar vetëm premtime, madje shpesh edhe më shumë se njëherë nga i njëjti individ, ndërkohë që pothuajse asnjë nga ato premtime nuk është mbajtur, njohton Almakos.
“ Jemi lodh më me premtime, që sa vjet na thonë do e rregullojmë këtë, do e rregullojmë atë, prap ato probleme që i kemi pas të njëjtat i kemi, sepse s’ është bërë asgjë për t’i zgjidh. Sa herë ka reshje shiu përmbyten rrugët, kanalizimi si mos më keq, s’di çka të them!”- tha A.S, banor i Çairit.
“Po disa prej premtimeve edhe i besoj, se diçka duhet të punojë ai që e merr komunën. Na duhet projekte serioze e jo veç aty-këtu me mbush ndonjë grup, e me bë vizat e bardha para zgjedhjeve.”- tha I.A, nga Tetova.
“As nuk i kam dëgjuar se çka kanë thënë, s’merrem me politikë. Krejt njësoj janë”- tha një banorë i Shkupit.
“Nuk duam premtime, duam të mos kemi me deponi që vazhdimisht digjen dhe ndotin vendin, na sëmurin, një komunë tjetër ka problem më rrugët, një tjetër mungesë çerdheje. Jemi lodhur nga premtimet”- tha për Almakos, R.N, nga Struga.
Se kjo lodhje e qytetarëve është me vend e thotë edhe analisti, Artan Dika. Sipas tij, vazhdimisht jepen të njëjtat oferta dhe nuk bëhet as përpjekja më e vogël për ndryshimin e prezantimit të tyre, më e pakta që mund të bëhet. Qytetarët, siç thotë Dika, i shohin premtimet si joreale,sepse të njëjtat përsëriten në çdo cikël zgjedhor dhe , gjithashtu, janë lodhur me të njëjtët njerëz, kryesisht të diskredituar.
“ Ofertat e bëra (kryesisht ato nga partia në pushtet) më ngjajnë me mishshitësin që vazhdimisht i jep mish të cilësisë jo të mirë blerësit që vazhdimisht e blen këtë produkt dhe shitësi nuk sheh arsye se pse t’i ofrojë diçka më të mirë kur malli i tij blihet nga blerësi. Aty ku malli nuk shitet shitësi i ofron blerësit mall tjetër, ose të paktën në paketim tjetër, sa për ta mashtruar, ndërkohë që pas atij “paketimi” qëndrojnë të njëjtat klane. Mjafton të shihet rasti i Strugës dhe Çairit. Fatkeqësisht shqiptarët kanë treguar se ata nuk kanë kauzë të përbashkët, as në nivel qendror e as në nivel lokal, pos interesave personale, prandaj edhe ofertuesit tentojnë ta kapin elektoratin varësisht nga interesant personale, ndërsa interesat kolektive mbetet seriale të stër-përsëritura në çdo fushatë. E mira e vetme është mbase fakti që fushata nuk zgjat edhe aq shumë”- tha analisti, Artan Dika.
Mungesën e një program serioz për t’u prezantuar nga kandidatët për kryetarë komune e thekson edhe analisti Arsim Sinani. Sipas tij përveç kësaj, tek kandidatët vërehet edhe një fjalor i varfër.
“Është një model i imponuar nga qarqe të caktuara që shqiptarin e Dua. Të këtij niveli, injorant. Nuk pashë program serioz kishim improvizime dhe retorikë. Është mentalitet që është nga viti 1945 deri sot, program s’ka, ka vetëm fjalë te paartikuluara.”
Partive ju mbeten edhe pak ditë të promovojnë kandidatët e tyre, e fituesit i pret shumë punë , veçanërisht në disa komuna ku mungojnë disa nga kushtet elementare për jetesë.
/Almakos.com
Përgatiti: Evi Shkopi