“Shqiptarët do të triumfojnë në Butel, kurse ju do të koriteni më keq se në zgjedhjet e kaluara”, thuhet në këtë letër
Aktivistë dhe intelektualë shqiptarë nga komuna e Butelit përmes një letre dërguar në redaksinë e portalit shprehja.net i janë drejtuar kryetarit të BDI-së Ali Ahmetin, duke e akuzuar ashpër për shkak se po punon kundër fitores shqiptare në këtë komunë, që nga vetë funksionarë të BDI-së quhej Uskana e Shkupit. BDI nuk ka nxjerrë kandidat në këtë komunë, ku e përkrah kandidatin maqedonas të LSDM-së.
“Z.Ahmeti, nuk din vetëm ti të shkruash letra para zgjedhjeve, dimë edhe ne. Nëse letrat tua t’i shkruajnë këshilltarët maqedonas që i ke angazhuar në fushatë dhe kanë për qëllim manipulimin e opinionit, fjalët tona që po t’i shkruajmë burojnë nga ndërgjegjja e pastër dhe nga zemra, dhe janë të nxitura nga brenga për politikën antikombëtarë që ti dhe parti jote po e zhvilloni kundër shqiptarëve të Butelit dhe Shkupit në përgjithësi. Jemi të brengosur nga politika juaj kundër Lubotenit të masakruar, që i takon kësaj komune. Jemi të brengosur nga politika juaj kundër lagjes Veri me shumicë shqiptare, e që e anashkaluat tetë vite sa jeni në koalicion me VMRO-DPMNE-në në komunën e Butelit. Vetë ti si kryetar i BDI-së, nënkryetari i partisë tënde Izet Mexhiti dhe shumë funksionarë tjerë të partisë që i takoni, premtuat se në këto zgjedhje Buteli do të jetë Kërçova e re, ku do të zhvillohet beteja për fitore të shqiptarëve. Si nuk po u vjen turp tani të punoni që në këtë komunë të fitojë kandidati maqedonas. Shqiptarët do të triumfojnë në Butel, kurse ju do të koriteni më keq se në zgjedhjet e kaluara”, thuhet në letrën e intelektualëve shqiptarë që jetojnë në Butel.
“E dimë se nuk do të na përgjigjesh. As që presim të na përgjigjesh. Po të shkruanin akademikët maqedonas, me siguri do të ju ktheje përgjigje. Përgjigjet tua më nuk kanë peshë te shqiptarët. Ne e morëm përgjigjen tënde, kur e the shumë qartë “politika është interes”. Kurse interesi ynë politik dhe kombëtar në këto zgjedhje është që të votojmë kundër partisë që ti e përfaqëson”, theksohet në këtë letër. /rrugadrejt