Me rastin e ditës botërore të të pastrehëve Kryqi i Kuq në Maqedoni, ka evidentuar 180 persona të pastrehë në qytetin e Shkupit, njohton Almakos.
Sipas organizatës bamirësë “Kalliri i Mirësisë”, janw mbi 2000 raste, të cilët u dalin në ndihmë, si për rastet sociale, jetimat, por edhe të pastrehëve. Kjo organizatë, e cila vepron 30 vite, këtë vit bën riregjistrimin e disa kategorive të njerëzve, të cilët kanë nevojë për ndihmë.
“Ne kemi një numër të madh, për të cilët kujdesemi, kemi edhe kategorinë e të pastrehëve, por numër konkret, për këtë kategori, nuk kemi as edhe trajtim, për ata kujdeset Kryqi i Kuq. Ne në përgjithësi familjet e rrezikuara, raste sociale, i kemi diku 1000 familje, ku edhe u ndihmojmë në periudha të caktuara. Por, u dalim në ndihmë edhe kategorisë së jetimave. Me rastet e të pastrehëve kemi patur raste veçanërisht gjatë stinës së dimrit, ku edhe kërkonin strehim, por realisht i kemi orientuar te qendra e Kryqit të Kuq, sepse ata kërkojnë strehim dhe ne nuk kemi mundësi t’ua ofrojmë. Por, numri i skamorëve vazhdon të mbetet i njëjtë, domethënë ai i varfëri mbetet i varfër gjithmonë. Momentalisht i kemi 1200 jetima të regjistruar, në qytet, ku edhe u ofrojmë ndihmë. Tani kemi filluar të bëjmë regjistrimin e ri, ku edhe do të bëhet ripërtrirja e dokumenteve, ku deri më tani kemi regjistruar 700 familje” tha Zija Abdiu sekretari O.H.”Kalliri i Mirësisë, për Almakos.
Suzana Tuneva Konevska, e cila foli sot në konferencën, me rastin e Ditës botërore të të pastrehëve tha se pika për të pastrehët në territorin e Shkupit funksionon për tetë vjet me radhë. “Një institucion i tillë i nevojitet qytetit për arsye se ky grup i personave të margjinalizuar, të cilët për shkaqe të ndryshme janë të pastrehë ndodhen në situatë të rrezikut të madh dhe të gjitha serviset sociale, të cilat kjo pikë ua ofron dedikohen për përmirësimin e jetës së tyre”, tha Tuneva Konevska.
Ajo shtoi se në këtë Pikë dy herë në javë personat e pastrehë munden tërësisht të kujdesen për higjienën e tyre, të marrin veshje, ushqim të ngrohtë, këshillë nga mjeku, mbështetje psikosociale dhe ndihmë juridike.
Shumë nga njerëzit e rrugës kanë shpëtuar falë strehimit në qendrën e të pastrehëve të Kryqit të Kuq në lagjen Momin Potok të Shkupit.
“Unë s’kam as pension edhe pse nga mosha 12 vjeçare kam punuar punë krahu ku dhe kam ndihmuar familjarët, por tani në moshën 63 vjeçarë nuk kam më fuqi të punoj, kërkoj ndihmë nga bamirësit dhe kryqi i kuq, ku edhe më është ofruar ndihmë”, thotë Ramiz Sulejmani, për Almakos.
“Si lypës mund të siguroj një sasi të ushqimit në ditë ose ndryshe duke u future edhe në korpat e mbeturinave, për të gjetur gjësend të mirë, ku e kanë hudhur njerëzit e pasur. Por, problemi gjatë stinës së verës ose edhe ndonjë stinë tjetër, ku është më ngrohët, nuk është se sa dimri, ku për mua është dilemë nëse mund të mbetem gjallë në minus 15 gradë celcius, brenda natës, ku edhe pushoj në hapsira të hapur”, thotë Mahmur Bajramovski, i përkatësisë rome, i cili për çdo ditë kërkon lëmoshë në hapësirat e Qendrës Tregtare në Shkup, njofton Almakos.
Sipas personelit të Kryqit të Kuq, ka vetëdije të madhe për mbështetjen dhe mbledhjen e gjësendeve në pikën e grumbullimit nga qytetarët. Ku numri i personave, të cilët dhurojnë ushqim, veshje dhe barëra nga dita në ditë është gjithnjë e më i madh. Të premten rregullisht vijnë gra, të cilat dëshirojnë specialitetet e tyre të përgatitura në shtëpi t’i ndajnë me këta persona”, shtoi Tuneva Konevska. Ajo shtoi se është rritur edhe numri i shërbimeve patrulluese sociale, ndërsa ka edhe plotësim të shërbimeve mjekësore. Dhjetë persona në tetë vitet e kaluara, aq sa punon Pika janë punësuar dhe kujdesen për veten.
Delvina Kërluku
Almakos.com