Prokurorja speciale, Katica Janeva, kategorikisht hedh poshtë akuzat e ish kryetarit të Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevskit, se gjatë bastisjes në shtëpinë e tij janë bërë parregullsi.
Janeva thotë se PPS po punon në mënyrë profesionale dhe se e gjithë bastisja është kryer në përputhje me urdhëresën për bastisje.
“Kategorikisht nga shtëpia e Vlladimir Pançevskit nuk janë konfiskuar çelësat e tij. Të sqaroj se në momentin kur patëm urdhëresën e gjykatës për të hyrë dhe për të bërë bastisjen në banesën e Pançevskit, nuk kishte nevojë që ne të konfiskojmë gjëra të panevojshme. Në përputhje me urdhëresën që siguruam, ne i konfiskonim vetëm gjërat e nevojshme për dyshimet e ngritura nga ana jonë dhe këtë e bëmë në përputhje me të gjitha rregullat e lejuara. Ndërsa ajo që ish kryetari ka xhiruar në banesën e tij teksa ne ishim brenda duhet të jetë lëndë për observim psikiatrik”,- deklaroi prokurorja speciale, Katica Janeva.
Janeva paralajmëron se të gjitha materialet tashmë të konfiskuara nga kompjuteri i Pançevskit do të analizohen, për të vërtetuar se a e ka keqpërdorur ose jo Pançevski sistemin elektronik për shpërndarjen e lëndëve dhe a ka pasur ose jo ai sistem tjetër paralel për këto lëndë.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës kryetar i Gjykatës Penale, Stojançe Ribarev, ka informuar gjykatësit e penales për ngjarjet e lidhura me Vlladimir Pançevskin, për procedurën parahetimore të PPS-së dhe bastisjen në kabinetin e tij dhe për grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat ishin në këtë gjykatë.
Ribarevi para gjykatësve ka theksuar se gjykata ka bashkëpunuar me prokurorët e PPS-së duke u lejuar qasje të lirë deri te zyra e Pançevskit. (Rexhep Qamili, TVM2)