Ajo është një surprizë e fushatës parazgjedhore në Shkup. Kandidatja e Lëvizjes Besa pë kryetare në qytetin e Shkupit, Nafie Selmani, thotë se ka pranuar këtë sfidë, për të dëshmuar se femra shqiptare në Shkup dhe në Maqedoni, ka ide, platformë dhe kapacitet për të udhëhequr kryeqytetin.
Në intervistën ekskluzive për Lajm.tv, Selmani u bën apel qytetarëve shqiptarë të Shkupit që të mos marrin parasysh apelet e liderëve të papërgjegjshëm shqiptarë, që bëjnë apel të votohet për kandidatë maqedonas, sepse në këtë mënyrë humbet pesha e votës shqiptare në kryeqytet. Poashtu sfidon konceptin e aq promovuar “qytetar”, duke thënë se tani e kanë radhën maqedonasit të dëshmojnë sa e përkrahin këtë koncept, sikurse e përkrahën shqiptarët në zgjedhjet e kaluara.
“Nëse vërtetë maqedonasit kanë koncept qytetar, le ta dëshmojnë atë duke votuar një kandidate shqiptare për kryetare të Shkupit. Unë kam vizion për gjithë qytetin e Shkupit si një tërësi, kuptohet duke i dhënë prioritet pjesëve më të pazhvilluara të kryeqytetit”, thotë Selmani në intervistën e saj për “Lajm TV”.
“Të kandidosh për Qytetin e Shkupit më shumë është dëshmi e ekzistencës, e pranisë dhe e synimit, sesa çështje e kalkulimeve politike. Me këtë kandidaturë ne dëshmojmë se ekzistojmë këtu, se jemi të pranishëm edhe në skenën politike dhe se synojmë që Qyteti jonë të përfaqësohet edhe nga ne”, thekson Selmani./LajmTV/